Lidhje

Kosovë: Kushtetuta e re dhe kompromiset e saj


Kushtetuta e re e Kosovës, e cila vendin e përcakton si republikë parlamentare, pritet të miratohet nga Parlamenti i Kosovës në fund të marsit apo në fillim të prillit. Hartuesit e saj thonë se projektkushtetuta është një model evropian i një shteti liberal demokratik ku në qendër të saj vendos shtetasin me të drejtat e tij politike. Ata pranojnë ndërkaq se projektkushtetuta garanton të drejta shumë të avancuara për komunitete, por sipas tyre, Republikën e Kosovës nuk do ta dëmtojë një pozitë më e mirë për komunitetet.

Kushtetuta e re e Kosovës e cila pret miratimin e saj në fund të këtij muaji, e përcakton Kosovën, republikë parlamentare, me përgjegjësi të shtuara për presidentin e vendit. Ministri Shërbimeve Publike, Arsim Bajrami, njëherësh anëtar i Komisionit Kushtetues, thotë se projektkushtetuta është një model evropian i një shteti liberal demokratik ku në vend të kombit dhe etnisë, në qendër të saj vendos shtetasin me të drejtat e tij politike.

Ministri Bajrami pranon se projektkushtetuta garanton të drejta shumë të avancuara për komunitetet, ndoshta, siç thotë ai, edhe përtej standardeve evropiane dhe ndërkombëtare. Ky, thotë ai, është një kompromis politik i dhimbshëm që mbështetet në propozimin e presidentit Martti Ahtisaari, i cili është miratuar në parlamentin e Kosovës. “Ne kemi konsultuar me dhjetëra modele evropiane të shteteve me përvojë të gjatë dhe shteteve në tranzicion, mirëpo kushtetuta i është përshtatur rrethanave specifike të Republikës së Kosovës dhe ato rrethana kanë kërkuar që kushtetuta të marrë parasysh procesin politik të pavarësisë së Kosovë dhe obligimeve ndërkombëtare që dalin nga ky proces. Kështu që, ne jemi përpjekur që në një anë të pranojmë përvojat e avancuara ndërkombëtare për të promovuar një shtet funksional, një shtet ligjor një demokraci kushtetuese, në anën tjetër, përmes kushtetutës i kemi përmbushur obligimet ndërkombëtare që kanë dalë nga procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës...”.

Sipas zotit Bajrami, Republika e Kosovës është zotuar edhe me kushtetutë se do t’i mbrojë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë, në mënyrë të veçantë të komunitetit serb, të cilit i janë dhënë më shumë të drejta me qëllim që pjesëtarët e tij të ndjehen të mbrojtur në Republikën e Kosovës. “Popullata shumicë ka marrë pavarësinë e Kosovës, shtetin sovran, dhe ajo ka patur këtë objektiv kryesor... Republikën e Kosovës nuk do ta dëmtojë pozita e avancuar e komuniteteve në vitet e para të funksionimit të shtetit sovran dhe të pavarur”.

Hartuesit e kushtetutës thonë se është në interes edhe të administratës ndërkombëtare në Kosovë që të përshpejtojë kalimin e përgjegjësive tek institucionet vendase, në mënyrë që t’i lëshohet hapësira e plotë e funksionimit të kushtetutës dhe funksionimit të plotë të sistemit kushtetues të Republikës së Kosovës. Sipas tyre, çdo dublim i pushteteve vetëm mund të pengojë funksionalitetin e rendit dhe qetësisë në Kosovë.

XS
SM
MD
LG