Lidhje

Southern Ammunition mohon se ka gisht në çështjen Gërdec


Përfaqësuesit e firmës amerikane “Southern Ammunition Company”, thanë sot se ata nuk kanë qenë të përfshirë në operacionin e fundit në fshatin Gërdec për çmontimin e municioneve.

Të kontaktuar nga Zëri i Amerikës, përfaqësues të kësaj kompanie me qendër në Karolinën e Jugut, shpjeguan se kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë ishte lidhur në prill të vitit 2007, për të çmontuar municione të kalibrit të vogël dhe kishte përfunduar në dhjetor të 2007.

Kontrata, sipas tyre, përfshinte vetëm dhënien e pajisjeve dhe jo transport, ose personel, dhe vetëm për çaktivizimin e municionit të kalibrit të vogël.

Zyrtarët e firmës thonë se aktiviteti i tyre është zhvilluar në fshatin Gërdec, aty ku ndodhi shpërthimi i së shtunës.

Sipas zyrtarëve të kësaj firme, një operacion i dytë, që filloi në janar të vitit 2008, për çmontimin e municioneve me kalibër të madh, nuk përfshinte kompaninë Southern Ammunition.

Ndërkohë sipas burimeve nga Shqipëri ekziston një kontratë e dytë me kompaninë Southern Ammunition të nënshkruar nga pronari i saj Patrick Henry në dhjetor të vitit 2007, që përfshin edhe çmontimin e municionit me kalibër të madh.

E kontaktuar sërish me këtë informacion, përfaqësuesi i firmës Southern Ammunition, pohon se në të njejtën ditë kjo firmë ia ka kaluar kontratën firmës shqiptare Alb Demil. Përfaqësuesi nuk pranoi të bënte komente të mëtejshme. //ii

XS
SM
MD
LG