Lidhje

Mbushen 5 vjet nga fillimi i ndërhyrjes në Irak

  • Bill Roxhers

Para pesë vjetësh, forcat e koalicionit të kryesuara nga Shtetet e Bashkuara ndërhynë në Irak për të rrëzuar një diktaturë, të cilën presidenti Bush e akuzonte se prodhonte armë të shkatërrimit në masë. Këto armë nuk u gjetën asnjëherë. Në vazhdim i hedhim një vështrim luftës në Irak, si filloi ajo dhe ndikimin e saj:

Vazhdojnë luftimet në Irak - trupat amerikane ende përleshen me kryengritësit, pesë vjet pas ndërhyrjes. Koalicioni i kryesuar nga Shtetet e Bashkuara sulmoi Irakun për të rrëzuar diktaturën e Sadam Hyseinit, i cili akuzohej se prodhonte armë të shkatërrimit në masë. Pastaj, Sekretari amerikan i Shtetit Kolin Pauell e paraqiti çështjen e këtyre armëve para Këshillit të Sigurimit të OKB-së në shkurt 2003.

“Zonja dhe zotërinj, këto janë uzina të sofistikuara. Ata mund të prodhojnë antraks dhe agjentë të mjaftueshëm biologjikë brenda një muaji për të mbytur mijëra e mijëra njerëz” ,- tha zoti Pauell.

Forcat e kryesuara nga Shtetet e Bashkuara e arritën shpejt objektivin e tyre, heqjen e regjimit të Sadam Huseinit. Edhe vetë Sadami më vonë u kap dhe u ekzekutua, pas një gjykimi të gjatë. Por gjetja e disa kontenierëve misteriozë nuk zbuloi armë biologjike, dhe asnjë armë e shkatërrimit të në masë nuk u gjet.

Ndërkohë, një kryengritje filloi të fuqizohej, duke shkaktuar viktima me anë të bombave në anë të rrugës dhe sulmeve të tjera. Administrata e presidentit Bush nuk ishte e përgatitur për pasojat pas ndërhyrjes, thotë eksperti ushtarak Antoni Kordsman.

“Ne shkuam në Irak të përgatitur për një lloj lufte, e cila kishte për synim të rrëzonte Sadam Hyseinin dhe për të mposhtur forcat ushtarake irakiane. Ne kishim iluzionin se nuk do të na duheshin operacionet e stabilitetit dhe ndërtimit të vendit. Ne ishim të papërgatitur për atë që ndodhi, dhe nuk krijuam kushte për stabilitet.”- tha Kordsman.

Pavarësisht nga zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe formimi i një qeverie përfaqësuese, mungesa e stabilitetit u rrit. Vrasjet e civilëve u shtuan nga makinat bombë, si dhe sulmet e tjera të kryera nga ekstremistët, që synonin të nxisnin dhunën sektare mes sunive dhe shiitëve. Vendi ishte thuajse në prag të luftës civile.

Presidenti Bush vendosi në fillim të vitit 2007 të dërgonte 30 mijë trupa shtesë në Irak në përpjekje për të ulur valën e dhunës. Qetësia relative është kthyer në Bagdat dhe pjesë të tjera të Irakut, që nga shtimi i numrit të trupave.

Vrasjet e civilëve kanë rënë me 70 përqind nga një vit më parë, ndërsa trupat amerikane patrullojnë rrugët dhe zonat që dikur ishin nën kontrollin e kryengritësve. Një nga arsyet e këtij suksesi ishte se shumë luftëtarë suni janë kthyer kundër al-Kaidës dhe po ndihmojnë forcat amerikane për të ruajtur sigurinë.

Gjenerali Dejvid Petreas, komandanti më i lartë në Irak, ishte ai që formuloi strategjinë e rritjes së trupave, por tërhoqi vëmendjen për kujdes në një intervistë me Shërbimin në gjuhën perse të Zërit të Amerikës.

“Mund të themi me siguri se rritja e numrit të trupave ka arritur përparim të konsiderueshëm. Por nuk do të përdorja fjalën sukses apo fitore, ose diçka të ngjashme” , - tha zoti Petreas.

Kjo për shkak se disa nga sulmet vetvrasëse me bombë vazhdojnë dhe irakianët vazhdojnë të vriten. Zyrtarët amerikanë thonë gjithashtu se qeveria irakiane e dominuar nga shiitët duhet të punojë më shumë për të përmirësuar qeverisjen. Dhe trupat irakiane kanë nevojë për më shumë trainim para se të marrin përsipër plotësisht detyrat e sigurisë nga trupat amerikane.

Lufta e Irakut është tani e dyta nga gjatësia në historinë e Amerikës moderne, me afro 4 mijë amerikanë të vdekur. Shumica e amerikanëve kanë arritur tani në përfundimin se lufta në Irak ishte gabim, por kjo nuk ka ndodhur me presidentin Bush.

“Vendimi për heqjen e Sadam Hyseinit ishte i drejtë edhe atëherë në fillim të mandatit tim dhe është i drejtë edhe tani në fund të mandatit tim si president, dhe do të jetë gjithmonë një vendim i drejtë,” - tha Presidenti.

Presidenti Bush premtoi se Amerika do të vazhdojë të qëndrojë në Irak. Por me gjithë vdekjet e amerikanëve atje, presioni ka të ngjarë të rritet për t’i dhënë fund luftës.//lk

XS
SM
MD
LG