Lidhje

SHBA: Qeveria përpiqet të frenojë krizën financiare


Qeveria amerikane po përdor të gjitha mjetet për të frenuar krizën financiare që po thellohet dhe për të qetësuar tregjet pas zhvillimeve të këtyre ditëve, kur njëra nga bankat më të mëdha të vendit u ble nga një tjetër kompani pasi ishte në prag të falimentimit. Ndërkohë, statistikat flasin për një dobësim të mëtejshëm të ekonomisë amerikane.

Pas uljeve të njëpasnjëshme të interesave, Rezerva Federale, siç njihet këtu banka qendrore, ndërmori një hap të pazakontë duke ndihmuar në shitjen e një banke investimesh që ndodhej në prag të falimentimit. Banka Bear Stearns, iu shit bankës JP Morgan Chase për një shumë mjaft më të vogël nga vlera që ajo kishte në treg vetëm pak ditë më parë.

Bear Stearns, e cila ishte ndëshkuar rëndë nga kriza e kredive për banesat që ka mbërthyer Shtetet e Bashkuara, u shit me 2 dollarë aksionin, pra më pak se një e dhjeta e vlerës që ajo kishte në treg të premten.

Analisti financiar, Peter Dunay i kompanisë Leeb Capital Management në Nju Jork, thotë se rënia e Bear Stearns-it është një tjetër shenjë e krizës ekonomike amerikane. ”Ne kemi shumë probleme. Kemi konsumatorë të mbingarkuar me borxhe, ndërsa tani po zbulojmë se edhe institucionet më të mëdha financiare paskan borxhe më të mëdha se sa mund të përballojnë."

Rezerva Federale do të bashkëpunojë me kompaninë financiare JP Morgan Chase për të garantuar detyrimet e borxhit të firmës Bear Stearns, e cila javën e kaluar u bë dëshmitare e një paniku të vërtetë që i pushtoi konsumatorët. Ata filluan të tërhiqnin sasi gjigande parash, aq sa dukej sikur po grabitej banka.

Ndërkohë, të dielën, Banka Qendrore, shkurtoi përsëri normën e interesit me të cilën bankat komerciale marrin borxh prej saj. Ulje të tjera të interesit mund të bëhen sot, kur banka qendrore të zhvillojë takimin e saj të rregullt.

Në klimën e shkundjes së tregjeve amerikane, Shtëpia e Bardhë po përpiqet të qetësojë qarqet financiare. Presidenti Bush u takua në Uashington me Sekretarin e Thesarit Henry Paulson dhe u tha gazetarëve se po ndërmerren masa të forta përballë kësaj periudhe plot sfida. "Tregjet tona të kapitalit po funksionojnë me efikasitet. Natyrisht ne do të vazhdojmë ta vëzhgojmë situatën dhe kur të jetë e nevojshme do të veprojmë me vendosmëri në një mënyrë që vazhdon të sjellë rregull në tregjet financiare. Në vështrimin afatgjatë, ekonomia jonë do të jetë mirë."

Shumë ekspertë besojnë se ekonomia amerikane është në recesion dhe shqetësohen se të çarat që po duken në sistemin bankar të vendit mund ta rëndojnë më tej gjendjen tashmë të zymtë.

Ish guvernatorja e Bankës Qendrore Alice Rivlin thotë se Rezerva Federale nuk ka zgjedhje tjetër veçse të bëjë ç’është e mundur për të përmirësuar pozitën e saj financiare dhe të frenojë një ndjenjë paniku që po lind midis investitorëve."Rezerva Federale po bën ç’është e mundur për të mos lejuar që ky të bëhet fillimi i një orteku të gjatë të katastrofës."

Ndërkohë, Rezerva Federale njofton se prodhimi industrial në Shtetet e Bashkuara ra 0,5 përqind në muajin shkurt. Kjo ishte rënia më e madhe në katër muaj dhe një provë tjetër se shëndeti i përgjithshëm ekonomik i Amerikës po gërryhet nga problemet.

Por aty këtu ka edhe shënja pozitive: Departamenti Tregtisë njoftoi se deficiti i llogarisë rrjedhëse të vendit u ul 9 përqind në vitin 2007. Llogaria rrjedhëse mat jo vetëm deficitin tregtar por edhe qarkullimin e investimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera. //ii

XS
SM
MD
LG