Lidhje

Shqipëria mban një ditë zi kombëtare për viktimat e Gërdecit


Shqipëria shpalli të martën ditë zie kombëtare në nderim të viktimave të shpërthimit në fshatin Gërdec pak kilometra pranë kryeqytetit.

Institucionet shtetërore ulën flamujt në gjysëm shtize, ndërsa qeveria vendosi t’u japë familjeve të viktimave një ndihmë prej 20 mijë dollarësh. Kryeministri Sali Berisha thotë se operacionet e kërkimit do të vazhdojnë pa ndërprerje.

“Gjersa të gjenden se ku janë 5 të zhdukurit ne nuk mund të lëmë pa bërë cdo përpjekje për t’i gjetur ata, sepse kjo përbën për familjet e tyre një fatkeqësi të dyfishtë. Po bëhen kërkime në zonën e kraterit” – tha ai.

Nga ana tjetër, opozita socialiste përsëriti kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Berisha. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, thotë se qeveria është përgjegjësja e drejtpërdrejtë e ngjarjes së Gërdecit.

“Ne duam dorëheqjen dhe imunitetin e deputetëve Sali Berisha dhe Fatmir Mediu jo me deklarata, gjoja se po mbeshtesin hetimet, por me votim në parlament” - tha ai.

Zoti Rama thotë se autoritetet po përpiqen të shmangin përgjegjësitë dhe të fshehin numrin e vërtetë të viktimave.

“Berishën nuk e pranojmë për kryeministër dhe ai duhet të na japë dorëheqjen, jo justifikimet e patolerueshme të një fatkeqësie që nuk është natyrore, por është politike. Atë fatkeqësi nuk e kemi nga Zoti por nga ata që kanë përsipër të na dalin për zot. Ajo nuk mund të mbulohet, sic po mbulohet numri i viktimave dhe i të zhdukurve” – tha ai.

Por kryeministri Berisha thotë se pavarësisht nga shifrat e pakonfirmuara që dalin nga burime të ndryshme, numri I viktimave është 16 të vdekur dhe 5 të zhdukur.

“Sot mungojnë nga lista e të zhdukurve 5 persona. Lista ishte 13. Janë gjetur 4 viktima dje, një u gjet sot. Katër u gjetën gjallë. Këto janë të dhënat zyrtare” – tha ai.

Prokuroria ka arrestuar tre persona, drejtues të firmës që kishte marrë përsipër zbërthimin e predhave të kalibrit të madh, dhe po heton shkeljet ligjore e teknike që sollën aksidentin.

Ndërsa ministria e financavenjoftoi se po përdor 60 milionë dollarë nga fondi i emergjencave për të ndihmuar familjarët e zonës së fatkeqësisë. Këtyre fondeve po u bashkohen nga shtete dhe organizata ndërkombëtare, firma shqiptare dhe kontributet e qytetarëve të thjeshtë në numrat e posacëm të llogarive bankare për këtë aksident.//lk

XS
SM
MD
LG