Lidhje

SHBA do t'i japin ndihmë qeverisë palestineze


Qeveria amerikane ra dakord t’i japë 150 milionë dollarë ndihma qeverisë palestineze të presidentit Mahmud Abas. Diplomati amerikan Jakob Ualles e nënshkroi marrëveshjen sot me kryeministrin palestinez Salam Fajad në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor.

Fondet amerikane do të transferohen direkt në thesarin palestinez, për të ndihmuar qeverinë të paguajë rrogat e punonjësve civilë dhe për të financuar operacionet e përditshme.

Në zhvillime të tjera, kandidati republikan amerikan për president Xhon Mekejn vazhdoi turneun në Izrael me një vizitë në Sderot, një qytet jugor i cili goditet shpesh nga raketat palestineze. Senatori Mekejn mbështeti operacionet ushtarake izraelite kundër grupeve që hedhin raketat nga Gaza, duke thënë se “asnjë vend nuk mund të rrijë duarkryq kur sulmohet vazhdimisht.”.

Një sulm izraelit kundër militantëve të Gazës muajin e kaluar la të vrarë më shumë se 120 palestinezë, mes tyre edhe civilë. Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të bashkuara Ban Ki Moon e dënoi Izraelin për atë që ai e quajti forcë të pabarabartë në operacione.//lk

XS
SM
MD
LG