Lidhje

Vinçani: E pafalshme përgjegjësia e Shtabit të Përgjithshëm


Ish zëvendës shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare, Armand Vinçani, i tha Zërit të Amerikës se përgjegjësia, sidomos e Shtabit të Përgjithshëm në ngjarjen e Gërdecit është e pafalshme. Zoti Vinçani, i cili ka shërbyer në hierarkinë e lartë të ushtrisë shqiptare nga viti 1993 deri më 1995, i bëri komentet nga Nju Jorku ku edhe jeton e punon.

Zëri i Amerikës: Zoti Vinçani, a duhej kontraktuar një firmë amerikane për çaktivizimin e këtyre municioneve apo Shqipëria ka specialistë të aftë për ta bërë vetë çaktivizimin?

Armand Vinçani: Shtrohet pyetja se përse u kontraktua një kompani e huaj për të bërë çaktivizimin e municioneve kur dihet që një proces të tillë ne e kemi kryer në Uzinën e Poliçanit. Kjo uzinë ka patur me qindra teknikë dhe profesionistë që kanë menaxhuar tërë jetën e tyre municione të çdo lloj arme. Këta njerëz janë përsëri aty, në mos të gjithë, një pjesë e tyre janë dhe ata sigurisht kanë edhe nevojë të punësohen. Pra, nga ana teknike do të kishte qenë më kualitative sepse këta njerëz janë marrë me të njëjtat lloje municioni që nuk ishin të panjohura për ta e nga ana tjetër do të ishte zgjidhur edhe një problem ekonomik. Aq më tepër, municionet nuk duhet të ishin sjellë në afërsi të Durrësit. Ndoshta rrugët detare dhe tokësore krijonin mundësi për përfitime por këto mbeten për t’u hetuar nga Prokuroria.

Zëri i Amerikës: Zoti Vinçani, sipas jush cili mund të ketë qenë shkaku kryesor i tragjedisë?

Armand Vinçani: Duke qenë se profesioni im i hershëm si oficer i ri në radhët e ushtrisë ishte në armën e artilerisë, unë kam patur të bëj shumë për vite me radhë me këtë municion dhe e njoh fare mirë. Municioni i artilerisë kur vjetërohet, shpesh nuk arrin të shpërthejë sepse lënda eksplozive, tritoli, ka degjeneruar dhe ka humbur cilësitë e saj. Që ky municion të shpërthejë, kjo mund të ndodhë vetëm pasi djegorja me të cilën është e pajisur predha, lë grykën e zjarrit të armës. Pra është shumë e vështirë që shpërthimi të ndodhë nga pakujdesia. Sigurisht nga pakujdesia ndodh çdo gjë por për mua kjo më shumë do të ishte diçka e kryer me qëllim. Megjithatë, sido që të jetë rasti, përgjegjësia, sidomos e Shtabit të Përgjithshëm është e pafalshme. Nuk mund të pretendosh se ke nënshkruar një kontratë me një firmë private që të menaxhojë municionet dhe armatimet e tua dhe ti je jashtë përgjegjësisë. Punëdhënësi asnjëherë nuk i shpëton përgjegjësisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Vinçani, ju keni qenë oficer madhor i ushtrisë shqiptare. A mund të kishin luajtur një rol oficerët madhorë aktualë të ushtrisë për të shmangur një tragjedi të tillë si ajo e Gërdecit?

Armand Vinçani: Ajo që më bën përshtypje është se oficerët madhorë që sot janë në drejtim të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë më duket se janë mikluar nga politika shqiptare dhe një pjesë e tyre janë produkt tërësisht i manipulimeve politike, i lojës me dy topa që ata kanë bërë. Kjo nuk është fare e ndershme. Prandaj ata duhet të ndërgjegjësohen për rolin që kanë përpara ushtrisë dhe popullit, të ngrenë zërin e tyre, të shkojnë në Parlament, të shkojnë tek Presidenti që është edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, të raportojnë cila është gjendja e ushtrisë e jo të bashkohen me krijimin e fasadave luksoze sa për të lustruar situatën në sytë e të huajve ose për të realizuar objektiva të ndryshëm që i kanë vënë vetes. Asnjëherë e drejta nuk vonon të dalë në shesh.

Zëri i Amerikës: Ndoshta mungesa e fondeve ka qenë një faktor që e kan penguar modernizimin e ushtrisë dhe çështjen për të cilën po flasim, pra çaktivizimin e municionit të tepërt. Cili është mendimi juaj?

Armand Vinçani: Në këto vite që Shqipëria synon të hyjë në NATO, fondet kanë qenë plotësisht në dispozicion të saj, ndoshta jo për të arritur maksimumin por minimumin – për të ruajtur e siguruar municionet dhe armatimet në kushte të plota teknike deri sa t’u vijë radha për t’u asgjësuar për fundimisht. Kjo është plotësisht e mundur.

Zëri i Amerikës: Si e mendoni të ardhmen e pastrimit të municioneve të tepërta në Shqipëri, mendoni se do të kërkojë shumë kohë dhe para?

Armand Vinçani: Nuk mendoj se pastrimi i municioneve duhet të kërkojë shumë kohë. Nëqoftëse çdo gjë llogaritet, nëqoftëse thirret konsulenca e atyre punonjësve, oficerëve dhe nënoficerëve që ne kemi pasur në radhët e ushtrisë dhe që gjithë jetën e tyre punuan me këto municione, ata do të japin mendime shumë më të vlefshme se këto që po them unë. Shtabi i Përgjithshëm në bashkëpunim me ta do të jetë plotësisht në gjendje brenda një kohe relativisht të shkurtër t’i eliminojë të gjitha municionet që ka sot në dispozicion dhe që nuk i nevojiten më në planet e ardhëshme operative apo strategjike. //ii

XS
SM
MD
LG