Lidhje

Koshtunica kritikon Shtetet e Bashkuara për ndihmën ushtarake ndaj Kosovës


Kryeministri i Serbisë Vojisllav Koshtunica kritikoi vendimin e Shteteve të Bashkuara për të autorizuar dhënien e ndihmës ushtarake shtetit të ri të Kosovës.

Sipas shtypit serb, kryeministri Koshtunica tha se vendimi, sipas tij, "ishte një hap tjetër shumë i gabuar", i ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara. Ai shtoi se vendimi për furnizimin me armë, i bërë i ditur dje në Uashington, mund të çojë në rilindjen e veprimtarive terroriste në Ballkan. Kosova e shpalli pavarësinë muajin e kaluar. Serbia, me mbështetjen e aleates së saj tradicionale, Rusisë, e ka kundërshtuar atë me forcë.

Presidenti Bush tha dje se furnizimi i Kosovës me armë do të ndihmonte për të forcuar sigurinë e Amerikës dhe të paqes në botë. Shtetet e Bashkuara ishin ndër vendet e para perëndimore që njohën pavarësinë e Kosovës.

Pavarësia është njohur nga mbi 30 vende, përfshirë edhe Bullgarinë, që vendosi sot marrëdhënie diplomatike me Kosovën. Qeveria e Serbisë është përgjigjur duke tërhequr ambasadorët e saj nga vendet që mbështesin Kosovën.

Ndërkaq, Kryeprokurori i ri i Gjykatës së Hagës për krimet e luftës në Ballkan, Serge Brameretz i bëri thirrje Serbisë të ndihmojë për kapjen e Radovan Karaxhiçit dhe Ratko Mlladiçit, ish udhëheqës të serbëve të Bosnjes të akuzuar për krime lufte. Kryeprokurori Brameretz u takua sot në Hagë me prokurorin e Serbisë për krimet e luftës Vladimir Vukjeviç. Zoti Vukjevic tha se Serbia është e angazhuar për kapjen e tyre dhe e ftoi zotin Brameretz për vizitë në Beograd. Zoti Brameretz e mori detyrën e kryeprokuroti të Hagës në janar. Para-ardhësja e tij e akuzoi Serbinë për mos-bashkëpunim të plotë me Hagën. //rd//

XS
SM
MD
LG