Lidhje

Shqipëri: Debatet e ashpra në parlament lënë në hije shkaqet e ngjarjes së Gërdecit


Debatet e ashpra për ngjarjen tragjike të së shtunës përfshinë për afër 6 orë mbrëmë parlamentin shqiptar. Debate që ishin më shumë me një përmbajtje të theksuar politike e që pak ose thuajse aspak nxorën në dritë shkaqet e asaj që ndodhi. Kryeministri Sali Berisha, i akuzuar si ndër përgjegjësit kryesorë nga ana e opozitës, u shpreh se ai nuk ka patur dijeni për Gërdecin.

“I quaj të papranueshme me gjithë dijeninë time, vendosjen e çmontimit në zonën ku është vendosur. Dhe ka një vendim shumë të qartë të Këshillit të Ministrave se cila është praktika që duhet të ndiqet. Dhe çdo vendim tjetër dhe mospaqyrim të tij ka përgjegjësitë e veta. Pra në rast se thyhet urdhri i kryeministrit, ai që nuk zbaton urdhrin, ai ka përgjegjësi. Që Gërdeci nuk duhet të ishte e kam thënë dhe e them 100 herë. Ai që vendosi të mbajë përgjegjësi të plotë dhe ju që hetoni, hetoni këto elementë: kush e vendosi! Zotërinj, emrin Gërdec e kam dëgjuar për herë të parë më datën 15 mars”.

Këto deklarime tingëllluan në një farë mënyre si një shkarkim të përgjegjësisë te ministria e Mbrojtjes. Ministri i dorëhequr Fatmir Mediu edhe mbrëmë mbrojti variantin se gjithshka ishte bërë sipas rregullave dhe se vendndodhja e fabrikës së caktivizimit të municioneve ishte bërë gjithshtu me mendimin e specialistëve.

Si Ministër i Mbrojtjes nuk kam marrë as shqetësimin më të vogël nga strukturat përkatëse të forcave të armatosura, apo ato që lidhen me Ministrin e Mbrojtjes në kontrollin e zbatueshmërisë së vendimeve të Ministrit të Mbrojtjes për çështje të sigurisë, trajtimit të personelit dhe as për fakte skandaloze të prezencës së të miturve në mjedise të tilla. Autoritetet më të larta ushtarake e kanë vizituar këtë fabrikë të montimit dhe nuk kam asnjë raportim të tyre për situatën e rrezikshmërisë, apo pasojat që mund të sillnin”.

Por opozita i quajti të pamjaftueshme shpjegimet e kryeministrit duke e mbajtur gishtin drejtuar ndaj tij. Kryetarja e grupit parlamentar Valentina Leskaj ha se kreu i qeverfisë duhet të dorëzonte imunitetin dhe ti hapte rrugë hetimeve.

“Ju fyeni të vdekurit dhe të gjallët kur thoni se qeveria juaj kishte përgjegjësi vetëm për transportin e municionit e jo për lejen e fabrikës, jo për vendndodhjen e saj, jo për kushtet e sigurisë brenda saj, jo për shfrytëzimin e grave dhe të miturve, jo për fundin tragjik të saj. Është edhe më e turpshme kur thoni se nuk keni dëgjuar ndonjëherë emrin Gërdec, fshat që është vetëm 10 kilometra larg zyrës suaj. E vërteta të zbardhet deri në fund, që llogaria të dale deri në fund, që përgjegjësitë të dalin deri në fund, ne kërkojmë jo vetëm dorëheqjen, por edhe hetimin tuaj zoti kryeministër!”

Deputeti socialist Kastriot Islami shkoi dhe më tej duke hedhur dyshime për trafik armësh:

“Kryeministri duhet të përgjigjet për thelbin e gjithë kësaj tragjedie, është thjesht trafik armësh dhe kjo është pjesa më e keqe e kësaj ngjarjeje”.

Por kryeministri Berisha duke treguar se Shqipëri i kishte shitur armë Afganistanit, me një tender të bërë nga Pentagoni, tha se gjithçka ishte realizuar sipas rregullave ndërkombëtare:

“Nuk ka asnjë tregëti përveçse të ligjshme, me prokurë me çdo gjë, merrni dosjet!”.

Debatet për këtë çështje duket se do të vazhdojnë gjatë edhe në dritën e shumë fakteve të dyshimta që janë bërë publike. Opozita ka njoftuar për nesër një marshim në heshtje për të protestuar ndaj shpërthimit apokaliptik sic e cilëson ajo, i cili shkaktoi viktima dhe dëme të shumta.//kk//

XS
SM
MD
LG