Lidhje

Greqia mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Nato


Ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis shprehu në Tiranë ngushëllimet, dhimbjen dhe solidaritetin e saj dhe të popullit grek për familjet shqiptare që humbën të dashurit e tyre në aksidentin e Gërdecit. “Ne jemi fqinjë dhe vende mike – tha ajo, dhe gjendemi shumë fort praën jush. Ja pse Greqia iu gjend pranë në këtë fatkeqësi dhe shpresojmë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më”.

Ministrja e jashtme greke Bakojanis po zhvillon një vizitë në Tiranë për të diskutuar me autoritetet shqiptare mbi zhvillimet në rajon dhe bashkëpunim dypalësh. Ajo deklaroi në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun shqiptar se Greqia është e gashtme të mbështesë kandidaturat e Shqipërisë dhe të Kroacisë për anëtarësim në NATO, por jo kështu edhe për Maqedoninë. “Sa i takon ftesës për anëtarësim në NATO, Greqia beson se Shqipëria ka bërë hapa thelbësorë drejt arritjes së këtij qëllimi. Shqipëria po merr pjesë aktivisht në bashkëpunimin rajonal dhe po e tregon me fakte fqinjësisë e saj të mirë”, - tha ministrja e jashtme greke. “Pra ekzistojnë të gjitha arësyet që Shqipëria të marrë një ftesë për t’u bërë anëtare e Aleancës- VerioAtlantike nga Samiti i NATO-s në Bukuresht, duke pasur edhe mbështetjen miqësore të Greqisë për këtë, ashtu si dhe Kroacia, ndërsa për Maqedoninë - tha zonja Bakojanis, Greqia nuk e mbështet kandidaturën e saj, sepse ka 17 vjet bisedime pa sukses për emrin e këtij vendi, një çështje, që sipas saj ka ndikim negativ në bashkëpunimin rajonal dhe në fqinjësinë e dy vendeve.” Ajo theksoi nga ana tjetër se Greqia do të ratifikojë pas Pashkëve dhe marrëveshjen për stabilizim asociimit për Shqipërisë dhe do të ndihmojë Tiranën që ta arrijë kriteret e Bashkimit Europian.

Të dy ministrat e jashtëm iu përgjigjën edhe pyetjeve për Kosovën. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Lulzim Basha tha se situata në Kosovë ka një rëndësi të vecantë për rajonin. “Ne dënojmë me forcë përdorimin e dhunës gjatë ditëve të kaluara, që rezultoi edhe me humbjen e jetës së një pjesëtari të forcave policore të UMNIK-ut. Zbatimi i plotë i paketës së planit Ahtisari në Kosovë, është garancia më e mirë për të gjithë banorët e Kosovës dhe një oportunitet i jashtëzakonëshëm për minoritetin serb atje. Ne besojmë se pavarësia e Kosovës stabilizon përfundimisht rajonin e shqetësuar nga dy dekada dhune dhe lufte si rezultat i shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Ne besojmë në perspektivën Europiane dhe Euroatlantike të Kosovës, por edhe të Serbisë. Ne besojmë se parimet e fqinjësisë së mirë midis Kosovës dhe Serbisë si dhe vizioni europian për të dy këto vende dhe për të gjithë vendet e rajonit është e vetmja alternativë për të ecur përpara” – tha ministri i jashtëm shqiptar Basha.

Ndërsa ministrja e jashtme greke Barkojanis e pyetur për njohjen e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës tha se Athina do të studiojë situatën me kujdes. “Greqia do të shohë me shumë kujdes situatën në Kosovë dhe në rajon përpara se të marrë një vendim për njohjen e Kosovës. Ne jemi shumë të interesuar për paqen dhe stabilitetin në rajon . Greqia ka ushtarë të saj si pjesëtarë të KFOR-it në Kosovë. Ne besojmë fort se misioni i Bashkimit Europian duhet të jetë atje, dhe Greqia do të marrë pjesë në këtë mission të bashkimit europian, por vendimi për njohjen e Kosovës nuk është marrë” – theksoi ministrja e jashme e Greqisë, Dora Bakojanis.

Gjatë vizitës në Tiranë, ministria e jashtme e Greqisë Dora Bakojanis u takua edhe me zyrtarët më të lartë të shtëtit shqiptar , me presidentin Bamir Topi dhe me kryeministrin Sali Berisha, ku marrëdhëniet dypaleshë, politike, ekonomike dhe në shumë fusha të tjera u vlerësuan shumë të mira. //rd//

XS
SM
MD
LG