Lidhje

SHBA: Betejë e paparishikueshme e kandidatëve demokratë


Në Shtetet e Bashkuara, dy kandidatët rivalë për president në kampin demokrat, senatorët Hillari Klinton dhe Barak Obama – vazhdojnë përgatitjet për garat e ardhëshme elektorale. Beteja është e paparashikueshme dhe secili prej tyre mund të fitojë emërimin e Partisë Demokrate për t’u ndeshur me kandidatin republikan, senatorin Xhon Mekein në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Senatori Barak Obama mbajti këto ditë një fjalim mbi temën delikate të racës në Amerikë, një provë kjo e rëndësishme për të si kandidat. Zoti Obama u bëri thirrje njerëzve të shikojnë përtej plagëve të vjetra të shkaktuara nga dallimi racial në Shtetet e Bashkuara. Ai e përdori fjalimin edhe për t’ju përgjigjur kritikave kidhur me komentet anti-amerikane, siç janë quajtur nga disa, të bëra nga prifti i kishës së tij në Çikago, Xheremiah Rajt.

"Është fakt se komentet e bëra dhe çështjet që kanë dalë në shesh javët e fundit, pasqyrojnë kompleksitetet e racës në këtë vend të cilat ne nuk kemi arritur t’i kapërcejmë deri në fund," - tha senatori.

Nga ana e saj, në fushatën që po bën në shtetin e Virxhinias Perëndimore, senatorja Klinton, ka folur për planet se si mund të përmirësohet ekonomia në ngadalësim e vendit dhe se si mund të fillojë tërheqja e trupave nga Iraku. Ajo u është përgjigjur edhe pikëpyetjeve se një betejë e zgjatur me rivalin e saj Barak Obama do t’i shërbente interesave të kandidatit republikan, Senatorit Xhon Mekein.

"Nuk mendoj kështu. Mendoj se ne do ta kemi kandidatin tonë të emëruar aty nga qershori. Edhe bashkëshorti im Bill Clinton e fitoi emërimin në qershor. Pas kësaj ne do të kemi një Parti Demokrate të bashkuar" , - tha ajo.

Ndërkohë, senatori Mekejn e kaloi javën në Irak dhe me vizita në vende të tjera të Lindjes së Mesme. Në Bagdat, me rastin e 5-vjetorit të luftës, ai kritikoi rivalët e tij demokratë, rreth synimeve të tyre për të tërhequr tupat amerikane nga Iraku vitin e ardhshëm.

"Al-Kaida vazhdon të jetë kërcënim i madh për sigurinë dhe për vetë ekzistencën e Irakut si demokraci, prandaj ne e dimë se mbetet ende shumë punë për të bërë", - tha Mekejn.

Ndërkohë që senatori Mekein po përpiqet të caktojë kandidatin e tij për nënpresident për zgjedhjet e nëntorit, senatorët Obama dhe Klinton do të ndeshen më 22 prill në zgjedhjet paraprake të shtetit të Pensilvanisë. Një anketë e opinionit tregon se zonja Klinton ka epërsi të dukshme në këtë shtet, në përpjekjet për të shkurtuar distancën me senatorin Obama, përsa i përket numrit të përgjithshëm të delegatëve që nevojiten për të marrë emërimin e Partisë Demokrate.//lk

XS
SM
MD
LG