Lidhje

Filmi australian "Falsifikatorët" trajton temën e Holokaustit


Një film australian për Holokaustin fitoi kohët e fundit çmimin Oskar në kategorinë e filmit të huaj më të mirë. “Falsifikatorët” është një shembull tjetër në një seri filmash për Holokaustin që merr këtë çmim prestiogjoz për kinematografinë. Filmi del në kinematë amerikane në fund të muajit mars.

Salomon Sorouiç ka një karrierë të gjatë kriminale. Ai njihet si falsifikatori më i mirë i kohës së tij dhe pat vuajtur edhe dënim me burgim për prerje kartmonedhash falso. Në vitin 1944, në periudhën e fuqizimit të regjimit nazist, Sorouiç dënohet me burgim, por këtë radhë burgimi ka një tjetër peshë morale:

Ai dërgohet në kampin e përqendrimit Saçenhausen në Gjermani, përsëri për falsifikim. Por kësaj here, aftësitë e tij kriminale i shpëtojnë atij dhe të tjerëve jetën. Ai dhe një grup të burgosurish kanë marrë urdhër të presin kartmonedha amerikane dhe britanike. Këto para do të përdoren për të ushqyer makinën ushtarake të Hitlerit dhe puna e këtyre të burgosurve do t’i shpëtojë ata nga dhomat e gazit.

Filmi “Falsifikatorët” ka në qendër të subjektit zgjedhjet morale të të burgosurve në kampe përqendrimi, të cilët arritën të mbijetojnë pa shumë problem, duke kompromentuar parimet për të mbijetuar, në një kohë që të burgosurit e tjerë u vranë. Regjisori Stefan Ruzouiski thotë se filmi është pritur me entuziazëm të madh në gjithë botën, përveç Gjermanisë:

"Po ta dish se gjyshi yt ka qenë nazist dhe ka qenë i përfshirë në krime të tilla, si do të ndjeheshe? Mendoj se shumë vetë nuk kanë dëshirë të ballafaqohen me një fakt të tillë. Për këtë arsye askush nuk shkon ta shohë këtë film në Gjermani", - thotë regjisori.

Filmi është një tjetër ekzemplar i vyer që i shtohet listës së filmave për Holokaustin, fitues të çmimit Oskar, siç ishte “Lista e Shindlerit” për një sipërmarrës me kombësi gjermane, i cili shpëton jetët e mbi 1 mijë hebrenjve polakë.

Në këtë listë përfshihet edhe filmi “Pianisti” i regjisorit Roman Polaski për një pianist të famshëm hebre, i cili humbet gjithshka nën regjimin nazist. Po ashtu edhe filmi “Jeta është e bukur” e Roberto Beninjit, një tragji-komedi, për një baba që bën ç’të mundet për t’i treguar të birit se edhe në shëmtirën e persekutimit nazist, jeta është e bukur.

Këta filma bazohen në histori reale. Ata janë një fragment i vogël i marrë nga repertori i pashtershëm i Holokaustit, thotë Murrei Horuic. Ai është drejtor i degës së Institutit Amerikan të Filmit në Merilend:

"Asnjëherë nuk do të mund të themi se janë realizuar një numër i tepruar filmash për Holokaustin. Laureati i çmimit Nobel, Eli Vizel ka thënë se mëkati më i madh është të harrosh",- thotë ai.

Këto filma ndihmojnë për të mos harruar. Ata nuk janë thjesht vepra arti. Secili prej tyre, është një përvojë vizuale e Holokaustit, dhe na bën të gjithëve dëshmitarë të asaj tragjedie, por edhe përgjegjës për të mos lejuar përsëritjen e saj.//lk

XS
SM
MD
LG