Lidhje

Presidenti Topi  i kërkon prokurorisë të gjejë fajtorët e ngjarjes së Gërdecit


Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, i kërkoi sot prokurorisë që të kryejë hetime të hollësishme për aksidentin e Gërdecit , ku nga shpërthimi i armatimeve në një qendër të shkatërrimit të tyre humbën jetën të paktën 20 persona, dhe u plagosën mbi 200 të tjerë.

Zoti Topi mblodhi Këshillin e Sigurimit Kombëtar, ku u shqyrtua ngjarja e Gërdecit. “Tragjedia e Gërdecit nuk mund të mbetet jetime. Ajo ka fajtorë dhe përgjegjës me emra dhe mbiemra. Nevojitet një hetim serioz, rigoroz, transparent për zbardhjen e kësaj ngjarje të paprecedent. Kërkohet që institucionet e pavarura të hetimit të bashkëpunojnë ngushtë me të gjitha institucionet e tjera të shtetit, për nxjerrjen e fajtorëve para ligjit dhe ndëshkimin e tyre. Institucioni i Prokurorisë duhet të vazhdojë të punojë në mënyrë shumë të pavarur dhe profesionale” - tha zoti Topi.

Presidenti tha se shprehte zhgënjimin e tij të madh për punësimin e njerëzve të patrajnuar në punime ushtarake, dhe për mungesën e informacionit mbi veprimtarinë e carmatimit në Gërdec, për të cilin “asnjë institucion shtetëror nuk kishte raportuar asnjë rresht në letër” mbi atë repart. “Është e pafalshme, askush nuk ka thënë asgjë, mbi një punishte të paligjshme dhe shumë të rrezikshme pranë aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend dhe të autostradës kryesore të vendit. Nuk e besoj se askujt nuk i kishte rënë në sy kjo situatë, ndaj kërkoj që me transparencë të nxjerrim përfundimet e duhura në lidhje me punën që institucionet dhe agjencitë e specializuara në vend nuk e kanë kryer” - tha zoti Topi. Ai kërkoi nga ekspertët e ushtrisë që të gjejnë zgjidhje për shkatërrimin e armëve të tepërta.

Zoti Topi tha se Shqipëria duhet t’I dëshmojë NATO-s aftësitë e strukturave të saj. “Ne nuk mund të harrojmë se jemi shumë pranë anëtarësimit në NATO. Do të ishte e pafalshme për ne të lejonim që proçesi historik i Integrimit Euro-Atlantik të vendit tonë, të kompromentohej nga papërgjegjshmëria apo nga veprimtaria e paligjshme e ndonjë individi cilido qoftë ai, të ndonjë zyrtari të korruptuar dhe të cilitdo që i është kundërvënë interesave kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ne duhet t’i dëshmojmë opinionit ndërkombëtar se Shqipëria e meriton NATO-n dhe integrimin Euro-Atlantik” - tha zoti Topi. Duke kërkuar të bëhet gjithçka për të gjetur të humburit dhe për të dëmshpërblyer viktimat, zoti Topi tha se puna në të zezë duhet të marrë fund dhe u bëri thirrje nga zyrtarët që të sekuestrojnë pasuritë e paligjshme të kujtdo firme që abuzon me regullat dhe ligjet. “Nuk mund të ketë më tolerancë mbi ata që duan të pasurohen mbi kurrizin e fëmijëve. Zero tolerancë, për cilindo që mendon se mund të rikthejë marrëdhëniet poshtëruese të punës në Shqipëri. Pres nga Shërbimet Informative, nga Policia dhe nga Inspektoriatet e ndryshme shtetërore, të godasin pa mëshirë këdo që shfrytëzon një njeri tjetër, për të pasuruar veten. Duhet të zhdëmtojmë ekonomikisht viktimat e tragjedisë dhe familjet e tyre. Gjithashtu duhet të punohet për sekuestrimin e çdo pasurie të paligjshme të vënë nga aventurierë, të cilët mendojnë se janë më të fortë nga ligji dhe shteti” - tha zoti Topi.

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare u mbajt sot një javë pas aksidentit me municionet në repartin e Gërdecit, ku nga shpërthimet humbën jetën të paktën 20 persona, u plagosën mbi 200 të tjerë dhe u shkatërruan mbi 400 shtëpi. //rd//

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG