Lidhje

Oketa: Kemi qenë bashkëpunues dhe transparentë me median


Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi dekretoi zotin Gazmend Oketa në postin e Ministrit të Mbrojtjes, një post delikat, në një ministri që është vënë në qendër të shumë akuzave të ngritura nga shtypi dhe nga opozita pas ngjarjes në Gërdec. Zoti Oketa, i cili është njëkohësisht kryetar i shtabit të emergjencës për çështjen e Gërdecit tha se qeveria ka predispozicionin maksimal të ndihmojë Prokurorinë për të zbardhur një orë e më parë çështjen e Gërdecit.

Zëri i Amerikës: Zoti Oketa, le të flasim së pari për bilancin e tragjedisë deri tani. A mund të na jepni një shifër të saktë të viktimave dhe çfarë dihet për numrin e të zhdukurve pasi vazhimisht shohim njoftime kontradiktore.

Gazmend Oketa: Deri në momentet që flasim, numri i viktimave është 21. Vetëm tre prej tyre janë akoma të paidentifikuar dhe presim nga momenti në moment që të marrim rezultatet e testeve të ADN-së.

Zëri i Amerikës: Operacionet e pastrimit duket se do të zgjasin shumë pasi rrezikshmëria është e lartë dhe ndotja e shtrirë në një zonë të gjerë. A ka rrezik që kjo të çojë në zgjatje të procesit të rindërtimit?

Gazmend Oketa: Jo. Natyrisht që zona ka disa rreze që klasifikohen me rrezikshmëri të lartë, më të ulët dhe pa rrezikshmëri. Forcat e armatosura që punojnë aty kanë marrë porosi që të pastrojnë fillimisht të gjitha rrugët ku kalojnë banorët e fshatit Gërdec, më pas aksioni është përqendruar në pastrimin e territoreve përqark shtëpive. Deri në momentet që flasim, një numër i konsiderueshëm banesash është arritur të certifikohet si i sigurt dhe pranë tyre kanë filluar të ngrihen çadrat e para pasi një pjesë e banorëve dëshirojnë të qendrojnë pranë banesave të tyre. Puna po vazhdon intensivisht, forcat e ushtrisë janë të përqendruara pikërisht në pastrimin sa më shpejt të jetë e mundur të zonës. Jam i sigurt se pavarësisht faktit se në zonë ka ende predha të pashpërthyera, kjo nuk do të përbëjë pengesë për rindërtimin sa më shpejt të banesave të dëmtuara, pasi të gjitha energjitë janë përqendruar pikërisht në pastrimin e banesave dhe të oborreve përqark tyre.

Zëri i Amerikës: Ka ndonjë datë të qartë se kur do të fillojë dëmshpërblimi i familjeve të dëmtuara?

Gazmend Oketa: Që nesër në ora 10 fillon ndarje e ndihmës financiare e përcaktuar në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave në një shumë prej 50 mijë lekësh të reja për çdo anëtar të familjeve të dëmtuara. Ndërkohë, nesër në mbrëmje përfundon edhe vlerësimi i saktë i dëmit të shkaktuar nga tragjedia e Gërdecit, gjë që do të na japë shumën totale të dëmit dhe do t’i hapë rrugën Këshillit të Ministrave për të vazhuar me anën ligjore, burokratike për të marrë një vendim dhe për të përcaktuar shpërndarjen e këtij dëmshpërblimi financiar. Besoj që është çështje ditësh dhe shumë shpejt banorët do të fillojnë të dëmshpërblehen dhe të fillojë rindërtimi i banesave të tyre.

Zëri i Amerikës: Qeveria ka patur një farë inkoherence në deklaratat e saj për ngjarjen. Në fillim u tha se do të hetohen shkaqet por vetëm dje, pra pas një jave, kryeministri Berisha pranoi se ka dështuar Ministria e Mbrojtjes. A nuk mendoni se reagimet kanë qenë të vonuara përballë urgjencës së kësaj ngjarjeje?

Gazmend Oketa: Nuk mendoj se reagimi ka qenë i vonuar. Përkundrazi, dhe ky nuk është thjesht një opinion i imi apo i qeverisë, por një opinion edhe i vetë qytetarëve. Brenda shumë pak orësh spitalet e Durrësit dhe të Tiranës kanë qenë në gatishmëri të plotë. Të gjitha forcat e ndërhyrjes së shpejtë, të gjitha forcat ushtarake janë gjendur shumë shpejt në zonë. Brenda pak orësh në qytetin e Durrësit janë arritur të sigurohen 800 shtretër të gatshëm për të pritur qytetarët në çdo moment...

Zëri i Amerikës: Zoti Oketa, ndoshta nuk isha i qartë në pyetje. E kisha fjalën që paralelisht me hetimet, përse nuk ka qenë e mundur të vihet gishti mbi përgjegjësit e ngjarjes? Pra deri tani qeveria praktikisht nuk ka bërë ndonjë analizë konkrete për shkaktarët përveç se është diskutuar mbi përmirësimin e sigurisë, të paktën nuk është pushuar ndonjë zyrtar deri më sot, nëse flasim për përgjegjësi administrative.

Gazmend Oketa: Qeveria shqiptare është deklaruar se mirëpret hetimin e çështjes dhe do të bashkëpunojë në këto momente me organet kompetente të cilat merren me hetimin e kësaj çështjeje. Dihet tashmë që Prokuroria ka filluar hetimin e çështjes dhe natyrisht është Prokuroria e cila do të çojë dhe do të zbardhë deri në fund këtë ngjarje. Ajo që i takon qeverisë shqiptare është vënia në dispozicion të organeve kompetente transparencën maksimale por nuk është qeveria ajo që do të hetojë në terma juridikë këtë çështje. Natyrisht që përgjegjësitë administrative do të dalin, personat përgjegjës do të përgjigjen qoftë para ligjit qoftë edhe administrativisht. Por e theksoj edhe njëherë: përderisa ka filluar një hetim ne kemi si qeveri predispozicionin maksimal të vihemi në dispozicion të Prokurorisë për të zbardhur një orë e më parë këtë çështje.

Zëri i Amerikës: Zoti Oketa, mendoni se qeveria ka qendruar një hap prapa shtypit, në kuptimin që përgjegjësitë po dalin në shesh pasi kanë folur mediat në vend që qeveria të dilte e para me informacione?

Gazmend Oketa: T’ju them të drejtën, qeveria ka qenë totalisht e fokusuar në kapërcimin e kësaj situate emergjente dhe nuk ka qenë në garë me median se cila do të ishte më përpara. Ne jemi përpjekur maksimalisht që t’i gjendemi pranë qoftë qytetarëve të dëmtuar, të lënduar, të plagosur – një pjesë e tyre janë përcjellë për në spitalet e vendeve fqinje, në Itali dhe në Greqi. Jemi përpjekur maksimalisht të akomodojmë në kushte optimale personat që mbetën të pastrehë për shkak të dëmtimeve të banesave të tyre dhe natyrisht kemi qenë besoj bashkëpunues edhe me median duke dhënë informacion, duke qenë transparentë. Komiteti ndërministror i ngritur për këtë çështje vazhdimisht ka dhënë informacione, ka bërë njoftime për shtyp. Po kështu, sektorët përkatës, ministrat përkatës pranë këtij Komiteti kanë bërë vazhdimisht komunikime me shtypin. Nuk mendoj se ka munguar ky bashkëpunim me median. Është çështje tjetër pastaj nëse media nxjerr dokumente apo akte të tjera të cilat normalisht na kthejnë në pyetjen e mëparshme. I takon organit të Prokurorisë dhe drejtësisë shqiptare që të gjykojë se sa këto pretendime dhe këto dokumente qendrojnë dhe sa të vërteta janë.

Zëri i Amerikës: Ju vini në krye të një ministrie delikate dhe ndaj së cilës janë ngritur mjaft akuza nga publiku. Nëse konfirmoheni nga parlamenti, çfarë mendoni të bëni me strukturat e mbikqyrjes të cilat me sa po del nuk e kanë luajtur këtë rol në operacionet e çaktivizimit të municioneve, pra me struktura si forcat e armatosura, kompania MEICO, shërbimi i sigurimit të ushtrisë? Më duket se është një pyetje mjaft praktike.

Gazmend Oketa: Është një pyetje mjaft praktike dhe cilido mund ta ngrejë këtë pyetje por më duket se është tepër herët për t’i dhënë përgjigje pasi mua më duhet së pari të marr miratimin e Kuvendit dhe të jem zyrtarisht ministër i mbrojtjes dhe më pas, ku të ulem në atë pozicion do të merrem edhe me situatën më nga afër dhe kuptohet, më pas do të marr edhe vendimet e duhura ku natyrisht zbardhja e çështjes do të më ndihmojë për të marrë vendime sa më realiste dhe aspak subjektive.

Zëri i Amerikës: Gërdeci ka hedhur hije mbi emrin e ushtrisë shqiptare për shkak të një afere për të cilën po flitet shumë në media dhe kjo pikërisht para samitit të Bukureshtit. Kjo hije ka prekur padrejtësisht një pjesë të ushtrsë që është realisht e përgatitur, siç po tregojnë edhe operacionet e tanishme për pastrimin e zonës dhe ndihmën ndaj të dëmtuarve. Si mund të riparohet ky dëm në aspektin e imazhit?

Gazmend Oketa: Pikërisht prandaj iu referova tragjedisë së Gërdecit kur thashë se zbardhja e çështjes nga organi i prokurorisë dhe nga drejtësia shqiptare do të më ndihmojë edhe mua personalisht në marrjen e vendimeve të duhura në ministrinë e mbrojtjes dhe në të gjitha strukturat që varen nga ministri i mbrojtjes. //ii

XS
SM
MD
LG