Lidhje

Figura e ish- presidentit John Adams vjen në ekran


John Adams, presidenti i dytë i Shteteve të Bashkuara vjen së shpejti në ekran permes një realizimi televiziv. Miniserialet e titulluara John Adams, bazuar në librin e historianit David McCullough, fitues të çmimit Pulitzer, flasin për ndikimin e madh të John Adams-it në Revolucionin Amerikan dhe në formimin e kombit amerikan.

Ishte guximtar dhe orator i lindur. John Adams ishte njeriu që bindi Kongresin Kontinental të ngrihej kundër ushtrisë britanike në vitin 1776. Ishte frymëzimi i Revolucionit Amerikan. E megjithatë Adams është një figurë jo e njohur mirë e historisë amerikane. Të paktën deri tani, thotë Tom Hanks, regjisori i serialeve. "Po të lexosh librin e historianit David McCullough, nga i cili kam mësuar shumë, John Adams nuk ka qënë më shumë se sa një njeri që kishte të drejtë. Ai shihej si një humbës, një njeri që nuk arriti të rizgjidhej president. Shihej madje si një shtojcë e personaliteteve shumë më të mëdha të asaj kohe".

Megjithatë, ai portretizohet në serial si njeriu që i mbushi mendjen Thomas Jeffersonit të shkruante Deklaratën e Pavarësisë. Dhe ishte ai që bindi patriotët të formonin ushtrinë revolucionare ku ai u zgjodh komandant.

Ashtu si në libër, miniserialet hedhin dritë mbi emocionet e pasura dhe marrëdhëniet shpirtërore mes John Adams dhe gruas së tij Abigail Adams luajtur nga aktorja Laura Linney. Abigail nuk ishte vetën gruaja për të por edhe nëna e katër fëmijëve të tij. Ishte mbështetësja dhe këshilltarja e tij e pazëvendësueshme.

U desh një ekip prej 670 vetësh, 5 mijë e 700 figurantësh dhe më shumë se 100 milionë dollarësh për të realizuar këto seriale: një aventurë ambicioze dhe e rrezikshme po të mendosh se sa i panjohur është ky subjekt për amerikanët e thjeshtë. "Jemi të vetëdijshëm se ishte një ide e rrezikshme për të parë në se njerëzit do të ishin të interesuar dhe a do ta ndiqnin historinë e këtij njeriu me kapele të çuditshme dhe me paruke qesharake dhe çfarë bëri ai 200 vjet të shkuara. Ishte vërtetë një ide kurajoze".

Serialet të xhiruara kryesisht në Williamsburgun historik të Virginias janë një vështrim i veçantë i jetës në Amerikën e shekullit të 18-të. Aktori kryesor Paul Giamatti thotë se politika e ashpër e atyre kohërave nuk është shumë ndryshe nga kjo e sotmja. "Mendoj se në disa aspekte politikanët ishin më agresivë atëherë sesa tani. Nuk e di por shumë linja politike u hartuan në atë kohë dhe nuk është shumë ndryshe tani përsa i përket dy filozofive – të luftës dhe kundër saj. Është e njëjta gjë".

Me një dialog të mprehtë, aktrim të fuqishëm dhe kinematografi mahnitëse, miniserialet John Adams i fusin shikuesit në turbullirat politike të Revolucionit Amerikan. Ato gjithashtu përpiqen të rezonojnë me amerikanët që ndjekin nga afër fushatat e tanishme presidenciale. //rd//

XS
SM
MD
LG