Lidhje

Presidenti Sejdiu: Kosova nuk do të jetë vend i kampeve


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, siguroi sot qytetarët romë, ashkalinj dhe egjiptas se ata do të jenë të trajtuar njësoj si edhe komuniteti shumicë në Kosovë.

Këto komente presidenti Sejdiu i bëri gjatë qëndrimit të tij në fshatin Plemetin, në Komunën e Kastriotit, ku jetojnë mbi 120 familje rome, ashkalinj dhe egjiptase. Ai tha se institucionet e Kosovës kanë obligim që të sigurojnë jetë më të mirë për banorët e këtij fshatit, ndërsa kërkoi edhe ndihmën e tyre. “Unë mendoj se këto janë disa nga elementet kryesore që desha t'ua prezantoj edhe si pjesë e zotimit tonë se do të jenë qytetar të trajtuar njësoj si qytetarët e shumicës por edhe të komuniteteve tjera pakicë. Nuk mund të lejojmë Kosovën që të ketë një fokusim të veçantë vetëm në një komunitet, por të fokusi duhet të jetë në të gjithë qytetarët dhe në këtë kuadër edhe bashkëpunimi dhe përgjegjësia janë paralele", tha presidenti Sejdiu.

Rreth 500 banorë romë, ashlalinj dhe egjiptas, për shtatë vite kishin jetuar në kapin e Plemetinit të cilin ish shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, e pati quajtur "Turpi i Kosovës". Para një viti aty janë ngritur banesa kolektive, ndonëse qytetarët e kësaj zone ende përballen me kushte të rënda ekonomike e sociale. Presidenti Fatmir Sejdiu, tha ndërkaq se Kosova nuk do të jetë vend i kampeve, por do të jetë Kosovë e të gjithë qytetarëve të barabartë dhe e mundësive të barabarta. Ndryshe, sipas planit të presidentit Martti Ahtisaari, mbi bazat e të cilit Kosova ka shpallur pavarësinë, institucionet e vendit janë të obliguara të sigurojnë të drejta të avancuara për pakicat kombëtare. //rd//

XS
SM
MD
LG