Lidhje

Protesta në ceremoninë e ndezjes së pishtarit olimpik


Aktivistë për të drejtat e njeriut shkaktuan ndërprerje në ceremoninë e ndezjes së pishtarit olimpik për Lojrat e Pekinit që u zhvillua sot nën masa të rrepta sigurie në qytetin antik grek Olimpia.

Tre anëtarë të organizatës Gazetarët Pa Kufi, me seli në Paris, shpalosën një flamur ku pesë rrathëve olimpikë u ishte dhënë forma e prangave, në shenjë proteste ndaj shkeljes së të drejtave të njeriut që ata thonë se ka kryer Kina.

Thirrjet e tyre për bojkotimin e Lojrave të Pekinit ndërprenë fjalimin e shefit të Komitetit Olimpik Kinez, Liu Qi. Protestuesit u arrestuan menjëherë dhe u larguan nga stadiumi. Pak çaste më vonë disa protestues pro-tibetianë u përpoqën të ndalnin përcjelljen e pishtarit përmes rrugëve të Olimpias.

Një grua tibetiane e lyer me bojë të kuqe u shtri në rrugë para këmbëve të atletit që mbante pishtarin. Të paktën 9 protestues u ndaluan nga autoritetet. //bsa//

XS
SM
MD
LG