Lidhje

Shala: Serbia nuk po reflekton në mënyrë objektive për pavarësinë

  • Laura Konda

Si sot, në vitin 1999, NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, që i dha fund luftës gati dyvjeçare në Kosovë. Institucionet dhe qytetarët e Kosovës e vlerësojnë këtë ditë si një ngjarje më rëndësi vendimtare për historinë e vendit, që një muaj më parë shpalli pavarësinë, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit dhe serbëve lokalë. Për të biseduar më gjerë lidhur me domethënien e këtij përvjetori, rëndësinë historike të tij, si dhe mbi disa nga zhvillimet më të fundit në Koovë, Zëri i Amerikës kishte të ftuar për një bisedë të drejtpërdrejtë nga Prishtina në programin televiziv “Ditari”, zotin Blerim Shala, analist, ish-pjesëmarrës në negociatat e para për statusin e Kosovës, ato të Rambujesë dhe së fundi, bashkërendues i Grupit të Unitetit gjatë negociatave të fundit, para shpalljes së pavarësisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Shala, kjo ditë, përveçse ka një rëndësi historike, i kujton edhe një herë botës shkakun e marrjes së një vendimi të tillë, bombardimit të Serbisë, për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë, masakrave ndaj shqiptarëve dhe krizës së rëndë të refugjatëve. A mendoni se kjo ditë në fakt duhet t’u shërbejë serbëve si një kujtesë për ato ç’kanë ndodhur dhe në anën tjetër, për të parë përpara?

Blerim Shala: Por fatkeqësisht, sot, siç e kemi parë nga prezantimet e zyrtarëve të lartë të Serbisë, atje nuk ka reflektim objektiv për ngjarjet në Kosovë gjatë viteve ’90, e lere më, për luftën në vitet ’98, ’99, ashtu sikurse edhe pas luftës në Kosovë, pas çlirimit në qershor 1999; prandaj, jemi edhe në një stuatë të tillë, kur lidershipi serb nuk është akoma në gjendje të pranojë realitetin në Kosovë. Mendoj që mund të bëjmë një paralelizëm interesant midis zhvillimeve në vitin ’99 dhe atyre në vitin 2008, sepse atëhere, siç ju kujtohet, që kur filloi fushata e paktit të NATO-s, Presidenti i atëhershëm i Jugosllavisë, Millosheviç, mendonte që NATO nuk ka guxim dhe përkushtim që t’i shkojë deri në fund fushatës dhe çlirimit të Kosovës, që herët apo vonë, do të kthehej në procesin negociator dhe do të ofronte diçka shumë më tepër, se sa në Konferencën e Rambujesë; njëkohësisht mendoj, që në rrethanat e tanishme, Koshtunica, por edhe udhëheqësit e tjerë serbë, shpresojnë që Perëndimi do të tërhiqet nga procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës, që deri tash ka mbërrit tek 33 shtete; ata përsëri ofrojnë fillimin, apo rifillimin e negociatave për statusin e Kosovës, gjithmonë duke e zhbërë pavarësinë e Kosovës. Gjithmonë, kemi të bëjmë me një përballje shumë interesante, por edhe shumë të kobshme, mund të them, të lidershipit serb, me mungesën e aftësisë për të kuptuar realitetin në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Shala, mund të thuhet, se procesi drejt realizimit të pavarësisë së Kosovës filloi pikërisht, me fushatën ajrore të NATO-s dhe u bë realitet sot, pas 9 vjetësh. Aktualisht, Serbia duket se është hedhur në një fushatë intensive diplomatike, sot Beogradi bëri publik propozimin e fundit që në zonat e veriut, në strukturat e UNMIK-ut të ketë vetëm përfaqësues serbë. Sa e komplikon kjo synimin e qeverisë së Kosovës për të vënë kontrollin mbi të gjithë territorin e vendit?

Blerim Shala: Po qëllimi i qeverisë së Serbisë, është që ta kthejë Kosovën si shtet në një lëmsh të përgjakshëm, që të tregojë, se Kosova si shtet nuk ka merituar të pavarësohet, që të tregojë se shqiptarët dhe autoritetet e tjera në Kosovë nuk janë të afta ta qeverisin vendin, por gjithashtu të dëshmojë; që Perëndimi ka bërë gabim fatal, duke e njohur shtetin e ri të Kosovës. Këto qëllime kanë qenë të njohura, nuk kemi të bëjmë me kurrëfarë plani sekret, ky është një plan publik i qeverisë së Serbisë, ai ka filluar të realizohet, ai ka filluar që nga 19 shkurti i këtij viti, kur u shkatërruan dy vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë; ai ka vazhduar të realizohet edhe në ditët e kaluara, edhe në incidentin e rëndë të para një jave në veriun e Mitrovicës. Pra, nuk as asnjë sekret, por nga ana tjetër, nuk ka sekrete as nga ana jonë, nga ana e perëndimorëve, as nga ana e Kosovës; jemi plotësisht të interesuar, që shteti i Kosovës të jetë funksional; dihet shumë mirë, që Kosova është njohur nga kufijtë e përcaktuar nga Presidenti Ahtisaari, nuk mund të ketë ndarje të Kosovës. Siç e dini, zyrtarët amerikanë po e përsërisin përditë këtë, duke ditur investimin e përgjithshëm të paktit NATO, të BE-së, veçanërisht të SHBA-së, në çlirimin e Kosovës, është plotësisht e paimagjinueshme që do të ketë një përfundim tjetërlloj, i gjithë ky proces, veç stabilizimit të shtetit të Kosovës, në një periudhë afatmesme.

Zëri i Amerikës: Ndërsa Serbia zhvillon këtë fushatë intesive diplomatike, siç thatë dhe ju, për arritjen e synimeve të saj, sipas mendimit tuaj, ka ecur me shpejtësinë e duhur drejt krijimit të shërbimit diplomatik shteti i ri i Kosovës?

Blerim Shala: Po janë disa probleme proceduriale dher legale, pasi dihet që Kosova do t’i marrë të gjitha kompetencat e plota nga UNMIK-u në skadim të periudhës tranzitore, ndërsa as në Uashington, dhe as në Prishtinë, nuk e dimë në fakt., se kur ka filluar ajo, periudha tranzitore, por mendoj që së shpejti Kosova do të shpallë ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes, që do të fillojnë krijimin e ministrive, me të njëjtën logjikë, si edhe me Ministrinë e Drejtësisë dhe të Brendshme, pra që të fillohet me një embrion të ministrive, që të fillojë funksionimi i tyre me ato kapacitete, me ato potenciale që ka, dhe që përfundmi, apo kompletimi i tyre të jetë i lidhur me periudhën e fillimit, kur qeveria e Kosovës do të jetë komplete. Sidoqoftë, keni të drejtë, në segmentin diplomatik ne duhet të bëjmë më tepër, për arsye sepse njohja nga jashtë e shtetit të Kosovës, ka qenë siç po thuhet, jashtëzakonisht kualitative, na kanë njohur 33 shtete, 18 shtete të paktit NATO, 18 shtete të Bashkimit Evropian, Grupi i 7-ëshes, duke përjashtuar Rusinë, prandaj, kualiteti i njohjes është shumë i mirë, pasi tani kemi nevojë për një kuantitet të njohjes, sepse përndryshe, ne nuk mund të bëhemi anëtarë fuqiplotë të organizmave ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Le t’u kthehemi më konkretisht edhe një herë zhvillimeve në Mitrovicë. Komuniteti ndërkombëtar nuk e vuri dot nën kontroll të plotë veriun për 9 vjet. Sot duket se gjendja aty është rënduar edhe me tej, UNMIK-u ka vështirësi, madje edhe t’i mbajë edhe zyrat hapur. A shikoni një zgjidhje për këtë rajon? Apo po shkon ai drejt shkëputjes?

Blerim Shala: Jo, mendoj që shkëputja është absolutisht e papranueshme dhe siç e perëmenda, edhe më parë, është një qëndrim kategorik i shteteve më të mëdha perëndimore, është edhe një parim i Grupit të Kontaktit, me të cilin ishte pajtuar më parë edhe Rusia, në vitin 2004 dhe 2005, dhe nuk mund të ketë zgjidhej tjetër për veriun e Kosovës dhe për pjesën tjetër të banuar me shumicë serbe, përveç propozimit gjithëpërfshirës të zotit Ahtisaari. Ne atë proppzim e kemi pranuar, në bazë të propozimit të planit Ahtisarri, ne jemi pranuar si shtet i pavarur, nga këto 33 shtete dhe opsion tjetër për ardhmërinë e Kosovën nuk ka. Por, kemi të bëjmë megjithatë, me një proces të ndërlikuar, megjithatë, me një proces shumë sensitiv; atje kemi një koncentrim, siç është pranuar nga UNMIK-u, të përfaqësuesit të Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe synimi i të gjithë neve është demontojmë strukturat paralele serbe në veri dhe gjetiu dhe njëkohësisht, t’u mundësojmë serbëve të Kosovës, që në mënyrë shumë demokratike t’i zgjedhin përfaqësueist e tyre legjitimë, si në nivelin loal, ashtu edhe në atë qendror.

Zëri i Amerikës: Zoti Shala, a ka një proces të qartë vendim-marrës në Kosovë, tani që ka në një farë mënyre tri pushtete, qeveria, UNMIK-u, dhe misioni i BE-së, që është në strukturim e sipër. Për shembull, në maj Serbia ka zgjedhje, që janë të parat, që pas pavarësisë së Kosovës. Po këtë herë, a do të lejohen ata të votojnë përsëri dhe kush duhet ta marrë këtë vendim, sipas jush?

Blerim Shala: Por mund t’ju them që është një periudhë e ndërlikuiar dhe është paraparë të jetë e tillë, edhe kur është bërë propozimi Ahtisari, që 4-muajshi i parë pas njohjes së pavarësisë së Kosovës do të jetë i ndërlikuar, pasi do të jetë UNMIK-u në fuqi; K-Fori, natyrisht, do të trashëgohet, pra me praninë ushtarake ndërkombëtare dhe do ta kemi zyrën ndërkombëtare në ardhje e sipër, me një prani shumë më të fuqishme, me praninë e SHBA-së dhe të BE-së. Por, siç e dini, periudha para shpalljes së pavarësisë së Kosovës u bë e njohur në të gjithë botën një "Koordinated Declaration of Independance", pra, CDI, në koordinim fuqiplotë, midis nesh, Perëndimit, që nënkupton SHBA dhe BE, që Kosova të bëhet shtet sa më parë. Mendoj që i njëjti mekanizëm mund dhe duhet të funksionojë edhe tash e tutje, në marrjen e vendimeve kapitale, siç është sprova që ka të bëjë me edhe pjesëmarrjen në zgjedhjet e 11 majit në Kosovë.

XS
SM
MD
LG