Lidhje

Aksidentet rrugore, shkak kryesor i vdekjeve mes të rinjve amerikanë


Çdo 30 sekonda, një njeri vdes në aksident automobilistik diku në botë. Ky është përfundimi i studimit të grupit ndërkombëtar Make Roads Safe, “Rrugët të bëhen më të sigurta”, synimi i të cilët është që siguria në rrugë të bëhet përparësi në mbarë botën. Në fund të marsit, Kombet e Bashkuara kanë në plan të marrin në shqyrtim sigurinë në rrugë pas thirrjeve të shumta për mbajtjen e një konference të posaçme të OKB-së për të diskutuar shtimin e aksidenteve automobilistile që rezultojnë në vdekje dhe plagosje.

Administrata Kombëtare për Sigurinë e Trafikut Rrugor bën të ditur se aksidentet automobilistike janë shkaku kryesor i vdekjeve mes të rrinjve amerikanë. Megjithatë, udhëtimi me makinë nuk ka qënë kurrë më i sigurt në Shtetet e Bashkuara, thotë Bella Dinh-Zarr, drejtore e degës së Amerikës së Veriut të grupit jo-fitim prurës "Rrugët të bëhen më të sigurta”.

"Gjatë 50 vjetëve të fundit, një sërë gjërash, si infrastruktura rrugore, përmirësimi i konstruksionit të makinave dhe ndryshimet në sjelljen e njerëzve, kanë sjellë edhe pakësimin e numrit të vdekjeve në aksidente automobilistike në Shtetet e Bashkuara”.

Studimet tregojnë se sjellja e shoferëve është shkaku kryesor i shumicës së aksidenteve. Kjo përfshin kapërcimin e shpejtësisë së lejuar, përdorimin e alkoolit dhe drogave, si dhe mungesën e vemendjes gjatë udhëtimit me makinë. Administrata Kombëtare për Sigurinë e Trafikut Rrugor thotë se përdorimi i telefonëve celularë dhe dërgimi i mesazheve të shkruara janë mes faktorëve kryesorë të shpërqendrimit të vemendjes. Zonja Dinh-Zarr thotë se ky është problem mbarëbotëror.

"Praktikisht në momentin e përdorimit të celularit, shoferi nuk shikon rrugën dhe mjafton një fraksion sekonde që të përfundosh në aksident. Kjo do të jetë një nga sfidat më të mëdha për vendet e zhvilluara si dhe ato në zhvillim”.

Sipas Organizatës për Zhvillimin dhe Bashkëpunimin Ekonomik, shumë vende të industrializuara, përfshirë Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Japoninë, kanë më pak raste aksidentesh fatale se Shtetet e Bashkuara. Shumë ekspertë thonë se shkaku për këtë është kultura amerikane lidhur me makinën. Mantill Williams punon me Shoqatën Amerikane të Trasportit Publik.

"Historikisht, para viteve 50-të, transporti publik ishte mjaft i shtrirë. Por me shpikjen e automobilëve dhe me miratimin e Aktit të Transportit Kombëtar të Autostradës, ne kemi patur mjaft organizata, veçanërisht ato të prodhimit të makinave, që kanë bërë fushatë për kufizimin e trasportit publik”.

Zoti Williams thotë se anketimet tregojnë se përgjithësisht amerikanët e mbështesin transportin publik.

Ndërkohë që çmimet e naftës ngrihen, ekspertët besojnës e gjithnjë e më tepër amerikanët do të preferojnë transportin publik. Ata besojnë se kjo do të sjellë pakësimin e makinave nëpër rrugë, duke i bërë kështu ato më të sigurta për gjithkënd. (ze)

XS
SM
MD
LG