Lidhje

Nuhatja dhe sëmundjet neurologjike; Temper tantrum ose zemërimi


Mungesa e ndjenjës së nuhatjes, shenjë paralajmëruese e sëmundjeve neurologjike

Sipas një studimi , humbja e ndjenjës së të nuhaturit mund të jetë një nga shenjat e herëshme paralajmëruese për sëmundje të rënda neurologjike.

Dihet se aroma apo era përbëhet nga grimca molekulash shumë të voglaqë thithen nëpërmjet hundës dhe shkojnë në qelizat përkatëse të trurit. Shpesh një aroma na kujton një kohë apo vend të caktuar. Pra del se ndjenja e aromës ka lidhje me kujtesën dhe kur kjo ndjenjë humbet, duket se në qelizat e trurit ka ndodhur diçka.

Studimi i ri lë të kuptohet se humbja e aftësisë për nuhatje mund të jetë shenjë e shtimit të rrezikut për prekjen nga sëmundja e Parkinsonit, sëmundje e rëndë neurologjike. Shkencëtarët në shtetin Havai morrën në shqyrtim më shumë se 2 mijë persona të cilëve iu tha të provonin erëra apo aroma të ndryshme.

Gjatë provave, pjesmarrësve iu dha të nuhasnin aroma duke filluar nga limoni, gazi natyror, e sapun e iu kërkua atyre të identifikonin erën përkatëse, pra nga cili objekt vinte.

Rezultatet treguan se personat që nuk ishin në gjendje të përcaktonin aromat përkatëse kishin 5 herë më shumë gjasa të prekeshin më vonë nga sëmundja e parkinsonit, në krahasim me pjesmarrësit e tjerë që u treguan më mirë përsa përket identifikimit të aromës.

Sipas studimit, ndjesia e nuhatjes shpesh duket se zhduket 4 vjet përpara shfaqjes së shenjave të zakonëshme të Parkinsonit siç janë dridhjet e gjymturëve dhe vështirësi në ecje.

Studime të mëparëshme kanë treguar se një pakësim i ndjenjës së nuhatjes ndonjëherë paralajmëron edhe Alcajmerin, gjithashtu sëmundje neurologjike. Kjo i bën shkencëtarët të mendojnë se dobësimi i kësaj ndjesie mund të jetë shenjë paralajmëruese e vdekjes së qelizave të trurit që janë përgjegjëse për nuhatjen.

Ekspertët këshillojnë që njerëzit të cilët provojnë një humje të papritur e të pashpjegueshme të nuhatjes duhet t’a diskutojnë këtë gjendje menjëherë me mjekun e tyre. Rezultatet e studimit u botuan në revistën Analet e Neurologjisë.

Zemërimi i shfrenuar tek fëmijët e vegjël, shenjë e problemeve psikologjike

Shpesh fëmijët shpërthejnë në të qara e të bërtitura, apo zemërim të shfrenuar. Kjo gjendje quhet në mjekësi temper tantrum dhe mund të jetë shenjë e një problemi më të thellë psikologjik

Zemërimi i papritur i papërmbajtur e sjellje të ngjashme tek fëmijët e vegjël shpesh i tremb e i shqetëson prindërit.

Shkencëtarët mendojnë se sjellje të tilla vihen re tek mbi 75 përqind të fëmijëve 3 deri 5 vjeç. Në të shumtën e rasteve, zemërimi kalon shpejt brenda 5 minutave. Por një studim i kohëve të fundit tregon se zgjatja e zemërimit tek fëmija mund të merret si shenjë se fëmija duhet të vizitohet për probleme emocionale.

Mjekët morrën në shqyrtim 270 fëmijë dhe panë se disa elementë të zakonëshme në raste të tilla lidheshin me depresionin ose çështje të sjelljes ose shrregullim hiperaktiv i vemendjes së pamjaftueshme.

Tek fëmijët me probleme psikologjike zemërimi i shfrenuar zgjaste 25 minuta a më shumë. Tek këta fëmijë, kjo lloj sjelljeje përsëritej më shpesh dhe me shenja dhune si goditja e njerëzve që kishin pranë. Fëmijët me depresion ishin më të prirur për të dëmtuar veten si në raste e goditjes së murit me kokë, ose kafshimit apo pickimit të pjesëve të trupit të vet.

Shpërthime të tilla zemërimi tek fëmijët zakonisht nuk përbëjnë shqetësime. Por ekspertët thonë se kur ato ndodhin në mënyrë të përsëritur fëmija duhet vizituar nga një psikolog. Rezultate e këtij studimi u botuan në revistën amerikane të pediatrisë. Studimi u krye nga shkolla mjekësore e Universitetit Uashington.

XS
SM
MD
LG