Lidhje

Rusia paralajmëron kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO


Shtëpia e Bardhë thotë se synimi i vizitës së ardhshme të presidentit Bush në Ukrainë, Rumani dhe Kroaci do të jetë për të mbështetur lirinë dhe demokracinë dhe për të forcuar aleancën e NATO-s për sfidat e shekullit të 21. Megjithatë, Kremlini e sheh zgjerimin e NATO-s si kërcënim ndaj sigurisë së tij, veçanërisht duke qenë se anëtarësimi i Ukrainës do ta sillte aleancën pranë kufirit jugor dhe perëndimor të Rusisë. Presidenti i ardhshëm rus Dimitri Medvedev ka paralajmëruar se anëtarësimi i Ukrainës dhe Gjerogjisë në NATO mund të kërcënojë sigurinë e Evropës.

Muajin e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin, gjatë një konference shtypi me udhëheqësin ukrainas Viktor Jushçenko, i cili ndodhej për vizitë në Kremlin, paralajmëroi se çfarë do të ndodhte nëse raketat e NATOs do të dislokoheshin në Ukrainë.

“Ёshtë e frikshme jo vetëm ta thuash por edhe ta mendosh një dislokim të tillë, i cili, teorikisht, nuk mund të përjashtohet, por që do ta detyronte Rusinë t’i drejtonte raketat e saj nga Ukraina. A mund ta imagjinoni çfarë do të thoshte kjo?" tha presidenti Putin.

Sekretarja amerikane e shtetit Kondolisa Rajs i dënoi menjëherë komentet si jo të përshtatshme dhe si retorikë të gabuar. “Ne e kemi bërë të qartë se jemi të përkushtuar ndaj pavarësisë dhe sovranitetit të Ukrainës dhe shteteve të tjera që dikur kanë qenë pjesë e Bashkimit Sovietik. Këto vende nuk janë më pjesë e Bashkimit Sovietik dhe ajo kohë ka shkuar përgjithmonë.”

Analisti i pavarur ushtarak rus Aleksander Konovalov thotë se Rusia e kupton këtë dhe ai i cilëson kërcënimet e zotit Putin si të bëra nga emocioni. Megjithatë, zoti Konovalov vë në dukje se Rusia ka interesa të rëndësishme në Ukrainë që kanë mbetur që nga periudha sovjetike. Këtu përfshihen raketa ruse SS-18 e cila ka një motor të prodhuar në fabrikën e raketave Uzmash në Ukrainë.

“Fabrika Uzmash mirëmban raketat SS-18, të cilat vazhdojnë të jenë në gatishmëri luftarake. Ukrainasit ndihmojnë në zgjatjen e jetës së këtyre raketave. Ata kanë dokumentacionin, pjesët rezervë, aftësinë për të vlerësuar problemet dhe përvojën.”

Zoti Konovalov thotë se në listën e gjatë të shqetësimeve përfshihen edhe motorët e ndërtuar në Ukrainë për shumë helikopterë dhe anije të marinës. Ai i shton listës edhe flotën ruse të Detit të Zi. Me marrëveshje të dyanshme, flota do të qëndrojë e stacionuar në Sevastopol të gadishullit ukrainas të Krimesë deri në vitin 2017.

“Me sa i kuptoj unë rregullat e NATOs, ajo e ka të ndaluar të pranojë anëtarësimin në aleancë të një vendi, i cili ka të stacionuara trupa të huaja në territorin e tij. Pra, ose problemi i dislokimit të flotës duhet të zgjidhet më herët ose Ukraina nuk duhet të anëtarësohet ende në NATO.”

Zoti Konovalov vë në dukje se ridislokimi do të kushtonte miliarda dollarë dhe do të merrte disa vite. Ai thotë se ukrainasit kanë gjithashtu shumë lidhje ekonomike dhe familjare me rusët, për të cilat ai thotë se do të prekeshin në rast se Moska do t’i rriste kontrollet e kufijve të saj po të anëtarësohej Ukraina në NATO.

Kohët e fundit udhëheqësit ukrainas filluan përpjekjet për procesin e anëtarësimit të plotë në NATO, të cilat do të shqyrtohen gjatë takimit të aleancës që fillon me 2 prill.

Presidenti Putin thotë se në fund të fundit, vendimi i Ukrainës për t’u anëtarësuar në aleancën perëndimore është punë e brendshme e një shteti sovran. Por Aleksander Konovalov thotë se anketat e opinionit publik tregojnë se edhe vetë ukrainasit janë të ndarë thellë rreth kësaj çështjeje. //bsa//

XS
SM
MD
LG