Lidhje

Sanksionet ekonomike, një mjet i politikës së jashtme amerikane

  • Leta Finçer

Qeveria amerikane ka përdorur për një kohë të gjatë metodën e sanksioneve ekonomike, ndërprerjen e marrëdhënieve tregtare, apo financiare ndaj vendeve të ndryshme, në përpjekje për t’i detyruar qeveritë e tyre t’u japin fund politikave te konsideruara si negative. Por kritikët thonë se sanksionet e përgjithshme, shumë shpesh dëmtojnë civilët e pafajshëm dhe nuk arrijnë synimet e dëshiruara në politikën e jashtme. Në vazhdim ju njohim me disa nga sanksionet që kanë ndëmarrë Shtetet e Bashkuara gjatë viteve të fundit:

Kur qeveria ushtarake e Birmanisë ushtroi dhunë për shtypjen e demonstruesve por-demokracisë shtatorin e kaluar, Shtetet e Bashkuara i kishin filluar sanksionet ndaj atij vendit 10 dhjetë vjet më parë. Në muajin shkurt, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja, që preknin direkt bizneset dhe individët me lidhje me sundimtarët ushtarakë të Birmanisë. Ja si shprehet zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Dana Perino:

"Ne e dimë se sanksionet japin rezultat, ato ndihmojnë në pakësimin e aktivitetit ekonomik dhe mund ta izolojnë më tej juntën ushtarake; kjo është pjesërisht një mënyrë, për t’ua bërë atyre të ditur se duhet të demokratizohen", - tha zëdhënësja.

Sanksionet ekonomike janë përdorur nga komuniteti ndërkombëtar për dekada, për të ushtruar presion për ndryshim ndaj vendeve, që konsiderohen se ushtrojnë politika jo demokratike. Nganjëherë sanksionet konsiderohen si të suksesshme. Në Afrikën e Jugut, sanksionet ndërkombëtare janë cilësuar të efektshme për t’i dhënë fund aparteidit.

Por, shumë herë sanksionet dështojnë. Psh, sanksionet amerikane ndaj qeverisë së Kubës kanë vazhduar për mbi 40 vjet, por nuk arritën ta dobësojnë ndopak pushtetin e ish-sundimtarit Fidel Kastro. Kritikët argumentojnë se sanksionet dëmtojnë civilët e zakonshëm, më tepër se sa udhëheqësit që ato venë në shënjestër.

Ted Galen Karpenter është drejtor për studime mbi politikën e jashtme dhe mbrojtjen në Insitutin Kejto, një grup studimor në Uashington, përkrahës i pikëpamjeve për kufizimin e pushtetit qendror. Ai thotë se në Irak, sanksionet e Kombeve të Bashkuara shkaktuan vuajtje të mëdha humanitare.

"Ka analiza të ndryshme lidhur me dëmin që u është shkaktuar fëmijëve nga sanksionet ndaj Irakut në vitet ’90, deri në ndërhyrjen ushtarake në atë vend në vitin 2003, lidhur me shtimin e nivelit të vdekshmërisë në radhët e fëmijëve dhe foshnjeve në Irak. Sipas përllogaritjeve, numri fëmijëve që kanë vdekur gjatë këtyre viteve ka qenë 100 deri në 500 mijë. Cilado qoftë shifra e saktë, duhet thënë se ka pasur një numër shumë të madh viktimash të pafajshme."

Disa ekspertë të politikës së jashtme, thonë se ishte dështimi i sanksioneve të OKB-së ndaj Irakut, që i detyruan Shtetet e Bashkuara të ndryshojnë mënyrën për të ushtruar presion ndaj atyre që i cilëson qeveri të rrezikshme.

Majkëll Xhakobson, ish-zyrtar i Departamentit të Thesarit, tani punonjës në Insitutin e Lindjes së Afërme, të Uashingtonit, thotë se gjatë viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë miratuar ata që i cilësojnë “sanksione të zgjuara”, që kanë patur si objektiv vënien e sanksioneve financiare ndaj individëve që mendohet se janë angazhuar në shkleje të ndryshme.

"Të marrim shembullin e Iranit. Në vitin 1995, Shtetet e Bashkuara filluan sansksionet tregtare ndaj Iranit, duke ndaluar tregtinë e bizneseve amerikane atje. Por që nga viti 2005, Departamenti i Thesarit i ka cilësuar disa zyrtarë dhe kompani iraniane si përhapës të armëve të shkatërrimit në masë" , - thotë ai.

Zoti Xhakobson argumenton se masat e reja, si ngrirja e pasurive të individëve të veçantë dhe vendosja e sanksioneve të udhëtimit për në Iran, mundet të jenë më të efektshme se sa sanksionet e së kaluarës.

Deri tani, Irani nuk e ka ndaluar programin e pasurimit të uraniumit. Disa analistë të tregtisë thonë se kjo ndodh ngaqë roli i rëndësishëm i Iranit në prodhimin e energjisë e vështirëson presionin ndaj sundimtarëve të tij.

Geri Hafbauer është ekspert për sanksionet në Institutin Peterson të Studimeve mbi Ekonominë Ndërkombëtar, në Uashington. Ai thotë, se pavarësisht se si ato përdoren, zakonisht sanksionet janë të suksesshme vetëm rreth një të tretën e rasteve, në arritjen synimeve të tyre në politikën e jashtme.

“Diplomacia nuk është si një lojë futbolli, kur fitorja, apo humbja janë të qarta. Shpesh arrihet një rezultat që mund të analizohet qartë dhe pikërisht në këtë rezultante të paqartë futen edhe efektet e këtyre instrumenteve diplomatike” , - thtotë ai.

Zoti Hafbauer argumenton se sanksionet janë më të efektshme, kur qëllimet e tyre janë modeste, si lirimi i të burgosurve politikë, në vend të përpjekjeve për ndryshimin e qeverisë.//lk

XS
SM
MD
LG