Lidhje

Pavarësia e Kosovës shqetëson pakicat etnike hungareze në Ballkan


Udhëheqësit politikë të komuniteteve hungareze që banojnë në Serbi dhe në vendet fqinje thonë se njohja e pavarësisë së Kosovës mund të çojë në vështirësi të reja për pakicat në rajon. Ata i ngritën këto shqetësime në një konferencë të organizuar në Budapest.

Takimi i së mërkurës në Budapest me përfaqësues të pakicave etnike u zhvillua vetëm 1 javë pasi fqinjët e Serbisë, Hungaria, Bullgaria dhe Kroacia njohën pavarësinë e Kosovës. Zyrtarë të pakicës hungareze në Serbi dhe Rumani kanë shprehur shqetësimin se ky hap mund të çojë në sulme hakmarrëse ndaj tyre nga ata individë që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.

Këto shqetësime janë më të mprehta në Vojvodinë, një krahinë e Serbisë ku banojnë rreth 300 mijë vetë të kombësisë hungareze. Istvan Pastor është president i partisë Aleanca për Hungarezët e Vojvodinës, një parti me baza etnike, e cila ka përfaqësues edhe në legjislaturat lokale dhe kombëtare.

Zoti Pastor thotë për Zërin e Amerikës se nuk është i kënaqur me vendimin e Hungarisë për të njohur shtetin e Kosovës: "Është një fakt i qartë. Nëse dikush jeton si pakicë në tokën e tij, gjithmonë ekziston rreziku që dikush do të ballafaqohet me të."

Të paktën 2 presje 5 milionë hungarezë jetojnë në zona që dikur ishin pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze, që u shpërbë pas Luftës së Parë Botërore. Megjithë tensionet, zyrtarë të qeverisë hungareze u bënë thirrje pakicave hungareze të kuptojnë vendimin e tyre për njohjen e Kosovës. Ndër ta ishte Erika Torzok, e cila drejton Departamentin Politikave Kombëtare në zyrën e kryeministrit. Ajo foli për Zërin e Amerikës përmes një përkthyesi: "Këto çështje po diskutohen nga Ministria e Jashtme hungareze dhe përfaqësues të pakicave hungareze të Vojvodinës. U përpoqëm të shpjegojmë se Hungaria e kupton se kjo është çështje delikate, prandaj edhe nuk ishim të parët që e njohëm Kosovën."

Një ndër propozimet e konferencës ishte të garantojë se rajone të tjera në Evropë nuk do të ndjekin shembullin e Kosovës, dhe ta bëjnë këtë duke rritur shkallën e respektimit të të drejtave të pakicave. //ad//

XS
SM
MD
LG