Lidhje

Rakipi: Organet e drejtësisë kanë për detyrë ta zbardhin Gërdecin


Shpërthimi i Gërdecit ka nxjerrë në pah një sërë shkeljesh për funksionimin e bizneseve në Shqipëri, por edhe për kontratat me firmat e huaja dhe mënyrën si përzgjidhen ato. Akuzat janë të shumta, duke përfshirë emra zyrtarësh të lartë. Një nga pyetjet që shtrohet më shpesh këto ditë është: a do të arrijë drejtësia shqiptare të nxjerrë të vërtetën në pah? Lidhur me keto çështje, Zëri i Amerikës zhvilloi një bisedë telefonike në programin "Ditari", me me ish Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, Arben Rakipi.

Zëri i Amerikës: Zoti.Rakipi, a mund të thuhet se ngjarjet e dy javëve të fundit do të jenë një provë për organet e drejtësisë shqiptare?

Arben Rakipi: Patjetër, që do të jenë një provë. Është një ngjarje që ka lënë gjurmë, tek mbarë njerëzit që janë të interesuar për ngjarjet në Shqipëri dhe besoj se të njëjtin kujdes, të njëjtin vlerësim, do të ketë dhe nga organet e drejtësisë, për ta zbardhur sa më mirë këtë ngjarje.

Zëri Amerikës: Me informacionet që kanë dalë deri tani, cilat mendoni se janë shkeljet kryesore të zyrtarëve shqiptarë? Si ish-prokuror, ju ku do ta përqëndronit fokusin e hetimeve?

Arben Rakipi: Edhe në prononcimet e mia të mëparshme, unë i kam konsideruar të dy llojshme shkeljet, ato që janë të dukshmet dhe ato të padukshmet. Mënyra se si është punuar në atë vend, personat që kanë punuar në Gërdec, gjëra që lidhen me ligjshmërinë e punësimit të grave dhe fëmijëve, të kualifikuar ose jo, dhe pasojat e shpërthimit, kjo është pjesa e dukshme e këtij problemi. Pjesa e padukshme, ka të bëjë me mënyrën se si është tenderuar, me mënyrën se si është prokuruar kompania fituese, dhe përfolja për korrupsion, e zyrtarëve të shtetit; kjo është pjesa që i duhet kushtuar më tepër kujdes, në mënyrë që të japë rezultat pozitiv.

Zëri i Amerikës: Zoti Rakipi, duke u nisur nga fakti që organi i akuzës është përfolur vazhdimisht për politizim, a mendoni se ai gëzon besimin e duhur për t’u marrë me çështje të tilla, të kësaj natyre?

Arben Rakipi: Profesionalisht, po. Unë do ta përcaktoja Prokurorinë, si një institucion me persona profesionalisht të aftë, për ta çuar deri në fund çështjen që kanë marrë përsipër. Ndërsa vullneti i institucionit për këtë çështje, është i ndërvarur edhe nga mënyra, se si po trajtohet ky institucion. Shihet qartë që e para, kurrkush në parlament nuk ka respektin e kërkueshëm dhe të mjaftueshëm për këtë institucion, e dyta në sallën e parlamentit dalin konkluzione që nuk duhet të dalin, nuk u takon atyre njerëzve që të nxjerrin konkluzione, janë institucionet e drjetësisë ato që duhet të nxjerrin konkluzione në raste të tilla, dhe e treta është një konsideratë teknike që lidhet me punën e përditshme të institucioneve, që prokuroria është e furnizuar me material nga ekzekutivi, nga policia, është kjo e fundit që i shërben prokurorisë, që të hetojë deri në fund çështjet. Nëse informacioni do të kalojë nëpër duar që kanë interes ta devijojnë atë, atëherë as prokuroria nuk do të prodhojë ndonjë gjë të ndryshme nga kjo. Nisur nga këto të treja, të krijohet ideja që prokuroria është e varur nga ekzekutivi. Unë kam konstatuar nga eksperienca ime dhe kontakte që kam me njerëzit që punojnë atje, që vullneti ekziston, por janë rrethanat, që me kopleksitetin e tyre, mund të çojnë në një rezultat jo të dëshiruar.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri, në situata të kësaj natyre, zakonsiht politika tensionohet, dhe hidhen gjithfarë akuzash, të cilat shpeshherë, e zhvendosin vëmendjen nga faktet. Sa ndikon kjo në objektin e hetimit?

Arben Rakipi: E vështirëson së tepërmi. Unë mund t’i përsëris përsëri tre rrethanat që thashë më parë. Parlamentarët marrin përsipër që të japin konkluzione, që nuk duhet t’i nxjerrin. Duke marrë përsipër një detyrë të tillë, ulet së ndjeshmi konsiderata që kanë për organet e drejtësisë. Ata e kanë shprehur drejpërsëdreti mllefin që kanë ndaj këtyre institucineve, respektin e ulët që kanë ndaj tyre. Kjo situtë e elektrizuar në parlament, pasqyrohet dhe në punën e ekzekutivit, dhe në furnizimin me materiale, që prokuroria pret prej tij.

Zëri i Amerikës: A do të ndihmonte në këto kushte, ngritja e një komisioni hetimor parlamentar?

Arben Rakipi: Jo. Mendoj se kjo do të ishte fatkeqësi për përfundimet e kësaj ngjarjeje. Nuk shoh arsye në zgjatjen e punës dhe dhënien e konkluzioneve të paktën në pjesën e dukshme të ngjarjes. Ndërsa rrethana dhe linja që kanë lidhje me pjesë të caktuar të nngjarjes, përsëri duhen lënë në hetimin e organeve të drejtësisë dhe të kurrkujt tjetër.

Zëri i Amerikës: A shihni elementë të krimit të organizuar në ngjarjen e Gërdecit?

Arben Rakipi: Dyshoj se ka. Dhe mendoj se është një dyshim i arsyeshëm, sipas gjykimit tim dhe në këtë bazë, duhet gërmuar për të gjetur diçka më tepër.

Zëri Amerikës: Zoti Rakipi, ju faleminderit për intervistën.

XS
SM
MD
LG