Lidhje

Shqipëri: Ministria e Mbrojtjes hedh poshtë njoftimet e N.Y. Times


Në Shqipëri ministria e mbrojtjes hodhi poshtë të enjten si të pavërteta dhe trillime të gjitha deklarimet e personave të cituar në artikullin e botuar në gazetën New York Times lidhur me tregtinë e armëve dhe municioneve nga Shqipëria drejt Afganistanit. Qëndrimi i Ministrisë shqiptare të Mbrojtjes erdhi pas debateve të ashpra të zhvilluara gjatë ditës së djeshme në parlament dhe akuzave të opozitës për korrupsion e deri trafik armësh.

Ka provokuar gati gati një tërmet të vërtetë në politikën shqiptare artikulli i New York Times, i publikuar ende pa u shuar polemikat e ndezura për tragjedinë e Gërdecit. Ndonëse faktet për të cilat përmendet Shqipëria në pjesën dërrmuese ishin bërë publike që prej ditësh në shtypin shqiptar, citimi i tyre në faqet e një gazete të njohur si e përditshmja amerikane e rëndojnë peshën e tyre e po ashtu edhe imazhin e vendit.

Debate të ashpra u zhvilluan në parlament ku opozita akuzonte për afera të përmasave të mëdha korruptive, ndërsa kryeministri Berisha i hodhi po ashtu poshtë ato duke i quajtur trillime dhe shpifje e duke aluduar për përpjekje të grupeve të caktuara për të penguar integrmin e Shqipërisë në Nato.

Krejtësisht të trilluara dhe të paqena janë cilësuar mbrëmë edhe nga Ministria e Mbrojtjes të gjitha deklarimet e bëra nga personat e cituar në artikullin e New York Times. Ministria, ashtu sikundër përsëriti disa herë edhe në Parlament kryeministri Sali Berisha, thekson se kontrata e Ministrisë së Mbrojtjes me kompaninë amerikan AEY është e ligjshme. Kjo kontratë është e miratuar nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes dhe ajo është verifikuar edhe nga shërbimet inteligjente ushtarake, dhe nga shërbimet inteligjente të vendeve partnere, shkruhet në komunikatën e Ministrisë.

Po sipas këtij teksti “kjo kontratë ka rezultuar e vlefshme pas verifikimeve nga ana e autoriteteve të Ambasadës Amerikane në Tiranë”. Po ashtu është verifikuar sipas Ministrisë edhe “Dokumenti i Plotfuqisë” që kompania AEY i ka lëshuar Evdin ltd. Nga të gjitha verifikimet ka rezultuar që kontrata dhe dokumenti i plotfuqisë janë autentike dhe në përputhje të plotë me legjislacionet respektive.

Megjithatë dyshime të forta bien pikërisht mbi kompaninë ndërmjetëse Evdin LTD, e cila jo vetëm sipas New York Times, por edhe sipas shtypit shqiptar rezulton të jetë një kompani fantazëm e një personi i cili njihet për përfshirje në trafiqe armësh. Ministria e Mbrojtjes shqiptare nuk dha asnjë shpjegim se kush e ka bërë verifikimin e “Dokumentit të Plotfuqisë” që kompania AEY ka lëshuar për Evdin ltd.

Një biznesmen shqiptar, Kosta Trebicka, i cili ishte lidhur fillimisht me kompaninë AEY ka denoncuar faktin se sipas tij, Edvin LTD me seli në Qipro ishte futur për shkak të presioneve nga autoritetet shqiptare dhe se pas saj fshihej emri i Mihal Delijorgjit, biznesmenit shqiptar që kryente operacionet në depon e çarmatimit në Gërdec, e cila shpërtheu më 15 mars. Por sipas Minisrisë shqiptare të Mbrojtjes “raportet mes kompanisë AEY dhe Evdin ltd janë pjesë e marrëdhënieve mes këtyre dy kompanive, pjesë e investigimeve amerikane dhe jashtë sferës së Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë”.

Shqipëria rrezikon të përfshihet edhe për shkak se ajo i ka dhënë kompanisë AEY municione të prodhimit kinez, të cilat me ligjin amerikan janë të ndaluara. Por pak ditë më parë kryemnistri Sali Berisha kishte deklaruar se municionet kineze nuk ndalohen as nga ligji shqiptar dhe as nga ai afgan, ndonëse mbetet ende pikëpyetja pasi ato po bliheshin nga një kompani amerikane për llogari të auoriteteve shtetërore amerikane.

Ndërkohë që mbetet për t’u verifikuar edhe vjetërsia e municioneve dhe standartet ndjekura për ambalazhim, të cilat tashmë janë konsiderur nga Pentagoni si larg atyre që kërkoheshin dhe ishin parashikuar në kontratën me AEY. //ad//

XS
SM
MD
LG