Lidhje

Shtetet e Bashkuara hetojnë municionin e dërguar në Afganistan


Ushtria Amerikane pezulloi një kontratë me një tregtar armësh, i cili, sipas gazetës The New York Times, furnizoi ushtrinë afgane me fishekë të prodhuar 40 vjet më parë. Ushtria amerikane është duke bërë hetime, por Pentagoni tha se nuk ka të dhëna se fishekët ishin jashtë funksionit.

Gazeta The New York Times shkruan se fishekët për pushkë dhe automatikë u transportuan në Afganistan në kuti kartoni të vjetra dhe që prodhimi i një pjesë të tyre datonte që nga viti 1966. Gazeta njofton gjithashtu se një pjesë e municioneve ishte prodhuar në Kinë dhe se blerja nga qeveria amerikane mund të ketë qenë e paligjëshme.Sipas gazetës The New York Times, fishekët ishin tregtuar nën një kontratë prej 300 milionë dollarësh me kompaninë e quajtur AEY, e cila, thuhet në gazetë, ka furnizuar për disa vjet ushtrinë amerikane dhe agjenci të tjera qeveritare me municione dhe pajisje të tjera.

Sipas artikullit të gazetës, kompania ishte krijuar para 9 vjetësh dhe tani ka si president djalin 22 vjeçar të themeluesit të saj. Gazeta njofton se kompania e siguroi shumicën e municioneve nga inventaret e vendeve të ish-bllokut të vjetër komunist që Departamenti i Shtetit dhe NATO-ja kishin vendosur që tani ishin të pasigurta dhe të vjetra.

Një fotografi në faqen komjuterike të New York Times tregon një kuti municioni, e cila thuhej se i përkiste kompanisë, ku disa nga fishekët duken të gërryer. Gazeta thotë se trupat afgane nuk kishin qenë në gjendje ta përdornin një pjesë të municioneve dhe citon një oficer afganas, i cili kishte thënë vitin e kaluar se ishte “i shqetësuar” rreth cilësisë së stoqeve që iu dërguan repartit të tij. The Times gjithashtu citon një ekspert britanik të thotë se cilësia e municionit kaq të vjetër është e ndryshme dhe “ efektshmëria, në varësi të kohës ose llojit, mund të ndryshojë në mënyrë dramatike”.

Por, zëdhënësi i Pentagonit, Brajan Uitman tha se reparti përgjegjës i ushtrisë amerikane për stërvitjen dhe pajisjen e ushtrisë së re të Afganistanit nuk ka marrë të dhëna për probleme në funksionimin e municionit të siguruar nga Shtetet e Bashkuara.

“Vjetërsia është padyshim një element i rëndësishëm, por kur flitet për cilësinë e municionit, siguria dhe efektiviteti i tij janë dy faktorët më të rëndësishëm. Në këtë rast nuk ka tregues se municioni nuk ka funksionuar në përputhje me standartet ose ka qenë i pasigurtë”, tha zëdhënësi.

Gazeta citon një oficer ushtrie që merret me furnizimin të thotë se municioni nuk iu nënshtrua kontrollit të cilësisë sepse ky municion ishte i përshtatshëm për armë të huaja dhe Afganistani nuk e kërkoi një test të tillë.

Zëdhënësi i Pentagonit nuk tha nëse një pjesë e fishekëve ishte sjellë nga Kina, gjë që mund jetë në kundërshtim me ligjet amerikane. Por, ai tha se ushtria është duke e hetuar këtë pretendim së bashku me aspekte të tjera të municionit të tregtuar nga AEY dhe do të vendosë nëse do të rifillojë blerjen e materialeve. //af

XS
SM
MD
LG