Lidhje

Senatori Obama prek çështjen delikate të racës në SHBA

  • Xhim Malone

Fjalimi i kohëve të fundit i kandidatit demokrat për zgjedhjet presidenciale, Barak Obama mbi racën, është vlerësuar dhe në të njëjtën kohë, edhe është kritikuar. Por edhe kritikët e zotit Obama e pranojnë se ai ka bërë një përpjekje serioze, për të diskutuar mbi një çështje të vështirë dhe përçarëse, që i ka fillesat në lindjen e republikës amerikane. Në vazhdim, disa nga reagimet ndaj fjalimit të zotit Obama:

Synimi i menjëhershëm i fjalimit të zotit Obama ishte distancimi politik i tij nga prifti Xheremiah Rajt, në kishën e të cilit ai shkonte vazhdimisht. Disa nga predikimet e zotit Rajt, që përmbajnë komente kundër të bardhëve dhe kundër amerikanëve, janë bërë objekt i një trajtimi të gjerë nga shtypi amerikan. Por zoti Obama po ashtu u përpoq të nxisë një debat më të gjerë lidhur me problemin e racës në Amerikë, një diskutim për të cilin ai pretendon se ka një kualifikim unik për ta nisur.

"Unë jam biri i një zezaku nga Kenia dhe i një gruaje të bardhë nga Kansasi, kam vëllezër, motra, mbesa, nipër, xhaxhallarë dhe kushërinj të çdo race, të shpërndarë në tre kontinente të botës dhe përsa kohë që do të jetoj, nuk do të harroj kurrë se në asnjë vend tjetër të botës, nuk është e mundur të ketë një histori të ngjashme me timen", - tha zoti Obama.

Mes atyre që e lavdëruan fjalimin e zotit Obama, ishte Ron Uolters, prej vitesh analist për problemet e racës dhe politikës, në Universitetin e Merilendit.

"Sipas mendimit tim, ai mendonte, apo organizatorët e fushatës së tij, mendonin, se kjo ishte një mundësi për t’ia shtuar çështjen e racës tematikës së fjalimeve, gjithnjë në kuadrin e motos së tij, për ndryshim. Prandaj, mendoj, se ky ishte një veprim kurajoz nga ana e tij, ngaqë nga njëra anë po e lidhte fushatën e tij me çështjen e racës dhe në anën tjetër, ai i bënte një sfidë popullit amerikan për ta pranuar perspektivën e tij."- tha ai.

Në fjalimin e tij, senatori Obama i dënoi komentet përçëse të priftit Rajt, por shtoi pa humbur kohë, se ai nuk do t’i presë lidhjet me të. Zoti Obama, po ashtu, u përpoq t’i shpjegonte komentet e priftit të tij, në kuadrin e një gjenerate, ku kujtimet e poshtërimit racial dhe të rikës janë ende të freskëta.

Por reagimet rreth fjalimit të zotit Obama kanë qenë të ndryshme. Profesori i Universitetit Xhorxh Mejson të Virxhinias dhe ish-akitvisti i të drejtave të njeriut, Roxher Uilkins, thotë se fjalimi i zotit Obama thekson nevojën për të bërë më tepër në SAmerikë, përsa i përket trajtimit të çështjeve sociale.

"Në shoqërinë tonë dhe në institucionet tona arsimore, nuk është dhe aq e lehtë të realizohet integrimi shoqëror. Ka ende doza të mëdha ndarjeje, përsa i përket vendbanimeve dhe arsimimit.", - tha ai.

Por në anën tjetër, një numër kritikësh konservatorë, thanë se senatori Obama ka shpenzuar shumë kohë për çështjet e racës dhe jo një kohë të mjaftueshme për ta distancuar veten nga prifti Rajt.

"Ai nuk e ka trajtuar si dhe sa duhet çështjen e priftit, Rajt, për të cilin ai thotë se e ndihmoi për t’u bërë i krishterë, dhe se ishte udhëheqësi i tij shpirtëror, në të njejtën kohë që po ky prift ka bërë komente të tilla, duke thënë se: "Shtetet e Bashkuara e kanë shpikur vetë SIDË-n për të infektuar popullsinë me ngjyrë”..., - thotë Fred Barness, redaktor i revistës “Weekly Standart”.

Mbetet e ende për t’u parë, në se fjalimi do ta ndihmojë Barak Obamën politikisht. Disa anketime, të zhvilluara menjëherë pas debatit rreth zotit Wright, kanë treguar për një rënie të popullaritetit të zotit Obama, krahasuar si me rivalen e tij demokrate Hillari Klinton, edhe me atë republikan, senatorin Xhon Mekein.

Në fjalimin e tij, senatori Obama bëri thirrje për unitet dhe paraqiti një pikëpamje optimiste lidhur me dëshirën e shumicës së amerikanëve për t’u përpjekur dhe për të trajtuar disa çështje që kanë të bëjnë me racën, të cilat vazhdojnë ta përçajnë vendin.

"E dimë dhe e kemi parë, se Amerika mund të ndryshojë. Pikërisht ky është gjenialiteti i vërtetë i këtij vendi. Ajo që e kemi arritur tashmë, na jep shpresë, një guxim që buron nga shprea, për ato që mundemi dhe që duhet të arrijmë nesër."

Analistët politikë dhe aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se rezultatet e garës për të siguruar emërimin e partisë demokrate dhe më pas, zgjedhjet e përgjithshme, do të përcaktojnë, nëse optimizmi i zotit Obama është i justifikueshëm.//lk

XS
SM
MD
LG