Lidhje

Ministrat e Jashtëm të BE-së takohen me zyrtarë të lartë serbë


Ministri i jashtëm i Serbisë Vuk Jeremiç tha se vendi i tij është i vendosur për integrimin në Bashkimin Evropian megjithë mosmarrëveshjet që ka me këtë organizatë rreth Kosovës. Zoti Jeremiç u takua sot me ministrat e jashtëm të BE-së në Slloveni. Takimet zhvillohen në klimën e shqetësimeve se mosmarrëveshjet rreth Kosovës mund ta largojnë edhe më shumë Serbinë nga Bashkimi Europian.

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian zhvilluan sot takime të veçanta me zyrtarë të lartë të Beogradit dhe të Prishtinës, të parat e këtij lloji që kur vendet e Bashkimit filluan të njohin pavarësinë e Kosovës. Takimet zhvillohen në klimën e shqetësimeve se mosmarrëveshjet rreth Kosovës mund ta largojnë edhe më shumë Serbinë nga Bashkimi Europian.

Deri tani, 18 nga të 27 vendet e Bashkimit e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Gjatë takimeve në Brdo të Sllovenisë, ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç tha se njohja e Kosovës nga vendet e Bashkimit është një akt i rrezikshëm, kundërproduktiv dhe i paligjshëm dhe se kjo do të shfrytëzohet nga nacionalistët në zgjedhjet e 11 majit në Serbi.

Ai u tha ministrave se nuk është i sigurt nëse forcat proeuropiane në Serbi mund të fitojnë shumicën në zgjedhjet parlamentare përsa kohë që Kosova do të vazhdojë të shihet si shtet i pavarur.

Zoti Jeremiç tha në një konferencë shtypi se kjo mund ta vonojë anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian. Sidoqoftë, zoti Jeremiç theksoi se vendi i tij është i vendosur për integrimin në Bashkimin Evropian megjithë mosmarrëveshjet rreth Kosovës. ”Nëse Bashkimi Europian vazhdon mbështetjen për një qeveri serbe e cila pas zgjedhjeve të 11 majit do të mbetet e angazhuar ndaj integrimit në Bashkim, atëhere jam i sigurt se do të jemi në gjendje të lëvizim shumë shpejt dhe pas disa viteve të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian.”

Ministri i jashtëm slloven Dimitrij Rupel, tha se kishte biseduar me zotin Jeremiç për çështjen e integrimit të Serbisë në Bashkimin Europian. "Zoti Jeremiç na dëgjoi dhe ne shkëmbyem disa pikëpamje. Ne i thamë se bazuar mbi këto bisedime do të marrim vendim për të hequr sistemin e vizave."

Nga ana e tij, ministri i jashtëm britanik, David Miliband, tha se Bashkimi Europian duhet t’i dërgojë një mesazh të qartë Ballkanit, se Europa është shtëpia e tyre, dhe kjo vlen për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. "Europa është shtëpia e tyre prandaj ata duhet ta ruajnë orientimin e tyre europian,” tha zoti Miliband.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci u takua me ministrat më vonë, duke iu shmangur kështu një takimi qoftë edhe rastësisht me zotin Jeremiç.

Zoti Thaçi tha se synimi i Kosovës si vend i pavarur është të jetë pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Europian. "Ne po punojmë shumë për këtë, ne po zbatojmë kritere demokratike për të ndërtuar një vend demokratik dhe shumetnik,” tha kryeministri Thaçi.

Një marrëveshje për bashkëpunim më të ngushtë mes Serbisë dhe Bashkimit Europian dështoi në mes të shkurtit kur shumica e 27 vendeve të Bashkimit filluan të njohin pavarësinë e Kosovës. //ii

XS
SM
MD
LG