Lidhje

Petroviç: Ndarja e Kosovës, e papranueshme për pakicën serbe


Kryetari i Partisë Liberale serbe Sllobodan Petroviç, anëtar i kryesisë së Parlamentit të Kosovës, hedh poshtë idetë për ndarjen e vendit në vija etnike.

Në një bisedë për Zërin e Amerikës, ai thotë se gjendja në Kosovë nuk është e tillë çfarë do ta dëshironin të gjithë, por gjërat nuk ndryshojnë brenda natës. Për zotin Petroviç është trimëruese se ka një dëshirë dhe vullnet të madh për një të nesërme më të mirë, ndërsa në botë ka shumë miq që duan të ndihmojnë që në Kosovë të bëhet mirë.

Komuniteti serb nuk mund të realizojë interesat e tij pa bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtarë dhe komunitetin shqiptarë. Ai thekson se një pjesë e madhe e popullatës serbe është kundër pjesëmarrjes së partisë së tij në institucionet e Kosovës sepse nuk e kupton ende rëndësinë e një pjesëmarrjeje të tillë. Secili thotë ai, duhet të jap ndihmesën e tij dhe të marrë mbi vete përgjegjësitë. “Nuk di nëse ka në rajon njerëz që kanë përgjegjësi më të madhe sesa ne, meqë ne jemi në një pozitë që nuk do t'ia dëshiroja askujt, por jam i sigurt se po bëjmë gjënë e duhur për komunitetin tim”, thotë zoti Petrovic duke kundërshtuar çdo ide për ndarjen e Kosovës në vija etnike që sipas tij është një kërkesë e parealizueshme që bie ndesh madje edhe me interesat e vetë bashkësisë serbe. “Nëse doni të thirreni në historinë dhe kulturën serbe, atëherë absolutisht nuk ka asgjë në veriun e Kosovës. Gjithçka është në jug. Aty është Gracanica, Gazimestani, Patrikana e Pejës, Manastiri i Deçanit, pra të gjitha argumentet janë kundër një ideje të tillë. Shpresoj se kjo do të mbetet vetëm një ide dhe asnjë njeri normal nuk mund ta pranojë. Nëse mendoni që një komunitet të tërë ta shpërngulni, kjo është diçka e rrezikshme dhe nuk mund të jetë interes afatgjatë”, thotë zi duke nënvizuar se i kupton frustrimet e komunitetit serb.

“Në veri është përqendruar pjesa më e madhe e popullatës serbe dhe kërkesat dhe synimet e tyre janë ndryshe nga pjesa tjetër e qytetarëve serb. Përgjegjësia në atë pjesë të Kosovës i takon më së shumti komunitetit ndërkombëtarë meqë institucionet e Kosovës nuk mund të funksionojnë aktualisht në atë pjesë. Nëse dikë dëshironi ta bëni pjesë tuajën atëherë duhet t'i krijoni mundësi për një gjë të tillë. Ta zëmë nëse pjesëtarët e Shërbimit Policor të Kosovës do t'i kishin pagat e tyre një mijë euro, ata nuk do të lëshonin vendet e tyre të punës. Ky është realiteti dhe të gjitha tjerat janë vetëm fjalë”, thotë zoti Petroviç duke nënvizuar se shumë nga kërkesat e pjesëtarëve serbe të policisë janë politike.

Shumë keqkuptime krijohen nga moskuptimi i gjërave thekson ai duke marrë si shembull planin e zotit Ahtisaari i cili sipas tij nuk është i përkryer për askënd, por ka shumë gjera të mira që mund të krijojnë hapësirë për zgjidhjen e problemeve në Kosovë. Ai shpreson se më ndihmën e komunitetit ndërkombëtarë do të bëhet me shumë në rimëkëmbjen ekonomike meqë asnjë status politikë thotë ai nuk mund të jetë i qëndrueshëm pa një zhvillim ekonomik. //rd//

XS
SM
MD
LG