Lidhje

Obama: Klinton nuk duhet të largohet nga gara, është rivale e denjë


Kandidatët demokratë në garën presidenciale, Hillary Clinton dhe Barack Obama vazhdojnë betejën për të marrë emërimin e partisë së tyre ndërkohë që senatori Patrick Leahy i bëri thirrje zonjës Klinton të largohet nga gara, duke u bërë anëtari i parë i Kongresit që e bën publikisht një thirrje të tillë. Por senatorja Klinton thotë se do të vazhdojë të qëndrojë në garë për t’u dhënë shans votuesve në nëntë shtetet amerikane që nuk kanë zhvilluar ende zgjedhjet paraprake të thonë fjalën e tyre.

Hillary Rodham Clinton mori dje një mbështetje të papritur. Barack Obama, rivali i saj në garën brenda Partisë Demokrate u tha gazetarëve se nuk është dakord me përkrahësin e tij, senatorin Patrick Leahy i cili kishte deklaruar se zonja Clinton nuk mund të fitonte dhe duhej të tërhiqej nga gara. “Nuk kam biseduar me senatorin rreth kësaj çështjeje. Për mua, senatorja Klinton mund të jetë në garë për sa kohë që dëshiron. Emri i saj është në fletën e votimit dhe ajo është një konkurrente e fortë që beson se mund të jetë kandidatja më e mirë për presidente. Unë mendoj se ajo duhet të jetë në gjendje të garojë dhe përkrahësit e saj ta mbështesin për sa kohë që të munden”, tha zoti Obama gjatë një konference shtypi në Johnstown të Pensilvanisë.

Vetë zonja Klinton i hodhi poshtë thirrjet për tu larguar nga gara presidenciale, duke u angazhuar ta vazhdojë betejën e saj me senatorin Obama. Duke folur në Indianapolis të shtetit Indiana ajo tha se votuesit në nëntë shtete, si edhe në Porto Riko që nuk kanë zhvilluar ende zgjedhjet paraprake meritojnë të kenë shansin të marrin pjesë në proces. “Ka disa që thonë se duhet t’i ndërpresim zgjedhjet në këto shtete. Nuk është kjo rruga në të cilën ne besojmë në Amerikë. Ne e dimë sa e rëndësishme është tu japën shansin të gjithëve të votojnë, në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet dhe vota e tyre të numërohet. Këtë shans do t’ja japim Indidanës më 6 maj”, tha zonja Klinton.

Senatorja e Nju Jorkut iu përgjigj kështu thirrjeve të senatorit Leahy për ta ndërprerë garën. Përkrahësi i zotit Obama, kryetar i Komisionit të fuqishëm të Drejtësisë u bë kështu anëtari i parë i lartë i kongresit që rekomandon publikisht ndërprerjen e garës nga senatorja Klinton.

Demokratët kanë shprehur vazhdimisht shqetësime se beteja e zgjatur Klinton-Obama po e lë fushën të hapur për kandidatin republikan John McCain. //ii

Ai ka qënë i vetëm në kampin republikan që nga 4 marsi, kur ish guvernatori i shtetit Arkansas Mike Huckabee u largua nga gara.
XS
SM
MD
LG