Lidhje

Shqiperi: Përgatiten dëmshpërblimet e ish të përndjekurve


Qysh nga 19 dhjetori i vitit të kaluar, kur parlamenti miratoi ligjin për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë, në ministrinë e drejtësisë janë paraqitur dhe shqyrtuar brenda 3 muajve rreth 4700 kërkesa dhe nga posta mbërrijnë cdo ditë 200 kërkesa të reja. Nga ligji përfitojnë të burgosurit politikë, familjarët e të pushkatuarve si dhe të internuarit politikë.

Ministri i drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, thotë se bëhet fjalë për mbi 20 mijë persona, që kanë marrë dënime të ndryshme si kundërshtarë të regjimit komunist, dhe fatura është tepër e lartë, megjithatë qeveria e ka marrë atë përsipër. “Nuk do të kishte masë shpërblimi që do të mund të përmbushte atë cka ka vuajtur kjo kategori. Megjithatë kjo qeveri ka bërë maksimumin e vet brenda limiteve të veta financiare dhe buxhetore. Ky ligj është një arritje tepër e madhe dhe serioze, sepse këta njerëz marrin një shpërblim konstistent për përmirësimin e jetës së tyre” - tha zoti Alibeaj.

Ministria e Drejtësisë ka ngritur një strukturë të posaçme, ku ekspertët trajtojnë brenda 60 ditësh cdo kërkesë, duke ballafaquar të dhënat arkivale nga 4 burime të ndryshme. Për të shmangur ecejaket dhe lodhjen e mijëra personave për të marrë këto dokumenta në 4 institucione, ministria e drejtësisë ka marrë përsipër që të verifikojë vetë dokumentat, duke shmangur edhe spekullantët. “Për të shmangur lodhjet e këtyre njerëzve, ministria e drejtësisë do të verifikojë me arkivin e ministrisë brendshme, arkivat e burgjeve, dhe kështu aplikantëve u lehtësohet puna në maksimum dhe ata do të mjaftohen thjesht me vendosjen në formular të datës së nisjes dhe mbarimit të burgut politik’ - tha zoti Alibeaj.

Ministri i Drejtësisë, Alibeaj, është edhe vetë pjestar i një familjeje të përndjekur nga diktatura komuniste për motive politike. Ai thotë se po përjeton me emocion përpjekjet që po bëhen për dëmshpërblimin e dënimeve të padrejta, për rehabilitimin dhe kthimin e dinjitetit qytetar të kësaj shtrese të vuajtur të shoqërisë shqiptare. “Personalisht kam një impresion pozitiv për faktin që jam duke shqyrtuar cdo kërkesë për dëmshpërblim. E di se cfarë do të thotë vuajtje, cfarë do të thotë persekutim, dhe se cfarë do të thotë sot për ta jo thjesht marrja e një dëmshpërblimi, por përfillja dhe respekti ndaj kësaj kategorie sociale. Këta njerëz meritojnë dicka për ato cka i dhanë vendit në atë kohë dhe tani me punën dhe shembullin e tyre. Ndjej detyrim moral dhe ligjor për të bërë maksimumin për lehtësimin e dhimbjes dhe vuajtjeve të tyre” - tha zoti Alibeaj.

Shqipëria ra pas Luftës së Dytë Botërore për afro 50 vjet nën një nga diktaturat më të egra të Europës ish-komuniste, me shifra record të pushkatimeve, burgosjes dhe internimit të qindra mijëra personave dhe familjeve si kundërshtarë të regjimit komunist. //rd///

XS
SM
MD
LG