Lidhje

Shqipëri: PS kërkon raportim të Kryeministrit për Gërdecin

  • Armand Mero

Në Shqipëri, Partia Socialiste deklaroi sot, se ka paraqitur kërkesën për një raportim në parlament nga kryeministri Sali Berisha për ngjarjen e 15 marsit në Gërdec, ku humbën jetën të paktën 26 persona.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, tha se Kryeministri duhet të raportojë me shkrim lidhur me përgjegjësitë e qeverisë, masat e marra dhe të gjithë çështjen e aferave korruptive, që sipas saj, lidhen me këtë çështje. Zonja Leskaj deklaroi se opozita do të vazhdojë të ngrejë këtë problem deri në zbardhjen e tij.

Javën e kaluar, parlamenti u përfshi në debate të ashpra. Çështjes së Gërdecit iu shtua edhe artikulli i publikuar në gazetën "New York Times", ku hidhehin hije dyshimi për afera korruptive në tregtinë e municioneve me desTinacion Afganistanin, mes ministrisë së Mbrojtjes dhe një kompanie amerikane.

Për çështjen e Gërdecit vazhdojnë paralelisht edhe hetimet e Prokurorisë, sipas të cilave ka dyshime edhe ndaj ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, për shpërdorim detyre. Por, duke qenë se zoti Mediu gëzon imunitet parlamentar, atëherë dosja i është transferuar Prokuorisë së Përgjithshme, e cila do të vendosë nëse do të hetojë, apo jo ndaj ish ministrit.//lk

XS
SM
MD
LG