Lidhje

Sanksionet ekonomike: Procedura e ndjekur për vendosjen e tyre

  • Margaret Beshir

Për dekada me radhë, sanksionet janë shfrytëzuar si një mjet diplomatik për t’u bërë presion qeverive për të ndryshuar politikat që shikoheshin si negative, qoftë në drejtim të shtetasve të tyre apo të qeverive të tjera. Në vazhdim do t’ju njohim me procedurën që ndjek një vend apo një grup vendesh për t’i vënë sanksione një vendi tjetër:

Kur një vend i caktuar arrin në përfundimin se është e nevojshme të vendosen sanksione kundër një qeverie tjetër, kreu i shtetit apo organi legjislativ ka autoritetin për të vendosur masa ndëshkimore. Por profesor Tom Uis i Universitetit të qytetit të Nju Jorkut, thotë se sanksionet e njëanshme është vështirë të vihen në zbatim:

"Rrallë herë një vend i vetëm ka aq fuqi në dorë sa të mundësojë zbatimin e sanksioneve, pasi gjithmonë ka burime të tjera furnizimi. Po ashtu një vend i caktuar ka një numër mënyrash për të thyer sanksionet e vëna ndaj tij. Duke qenë se vetëm pak vende kanë ndikimin e nevojshëm për të zbatuar vetë sanksionet, zakonisht çdo vend paraqet propozim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me shpresën për miratimin e sanksioneve që do të gjejnë përkrahje të gjerë nga anëtarët e tjerë", - thotë ai.

Këshilli i Sigurimit e ka përdorur autoritetin e tij për të vendosur sanksione kur paqja ndërkombëtare ka qenë në rrezik dhe kur kanë dështuar përpjekjet diplomatike. Gjatë viteve të fundit, ka ekzistuar prirja për sanksione specifike. Aty përfshihen sanksione ekonomike dhe tregtare, embargo armësh, ndalim udhëtimesh ndërkombëtare dhe masa financiare si për shembull ngrirja e pasurive.

Gari Hafbauer i Institutit Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare, thotë se sanksionet specifike kanë në shenjestër regjimet dhe përpiqen të mos rëndojnë mbi popullatën e gjerë:

"Nëse në një mënyrë apo një tjetër mund t’ia ngrish llogaritë bankare elitës, apo t’u heqësh mundësinë për të ndjekur shkolla në Zvicër, për të udhëtuar jashtë vendit, atëherë së paku nuk ndëshkon njerëzit e thjeshtë. E mira e kësaj është se nuk ke efektin negativ të sanksioneve, si për shembull probleme në kujdesin shëndetësor apo mungesa ushqimore sidomos për të moshuarit dhe fëmijët, të cilat do të kishin shumë pasoja negative."

Vetëm në mars të këtij viti, Këshilli i Sigurimit e shfrytëzoi autoritetin e tij për të vendosur sanksione specifike kundër qeverisë iraniane për programin e saj bërthamor, të cilin shumë vende e shohin si fasadë e një programi sekret për prodhimin e armëve bërthamore. Profesor Uis thotë se raundi i fundit i sanksioneve kundër Iranit nuk pritet të ketë më tepër se sa ndikim simbolik:

"Regjimi iranian nuk i mirëpret këto sanksione. Iranianët duan të jenë pjesëtarë të bashkësisë ndërkombëtare dhe patën angazhuar shumë energji diplomatike për të penguar vendosjen e këtyre sanksioneve. Jo sepse sanksionet do të kenë ndonjë ndikim real për sa i përket aktivitetit të përditshëm ekonomik, por sepse do të kenë një ndikim të madh simbolik", - thotë Profesori Uis.

Pasi Këshilli i Sigurimit vendos sanksione, si në rastin e Iranit, ka një numër agjencish të specializuara të OKB-së si dhe organizata ndërkombëtare, të cilat angazhohen për mbikqyrjen, zbatimin dhe respektimin e tyre. Një ndër agjencitë më të rëndësishme është Interpoli, organizata më e madhe policore në shkallë botërore.

Mbi 180 vende janë anëtare të Interpolit dhe personeli i kësaj organizate ndihmon për zbatimin e embargos së armëve, ndalimin e udhëtimeve dhe sanksionet financiare. Autoritetet ndërkombëtare të doganave dhe aviacionit janë gjithashtu një forcë e rëndësishme në zbatimin e sanksioneve.

Organizata rajonale si Bashkimi Evropian, Lidhja Arabe dhe Organizata e Shteteve Amerikane kanë luajtur gjithashtu role të rëndësishme në zbatimin e sanksioneve. Por megjithë përpjekjet ndërkombëtare për zbatimin e sanksioneve, disa ekspertë thonë se sanksionet vetë nuk japin rezultat, nëse nuk përfshihen në kuadër të një pakete më të gjerë politikash.//lk

XS
SM
MD
LG