Lidhje

SHBA: Sekretari i Thesarit propozon reforma të sistemit financiar


Administrata e Presidentit Bush ka propozuar një reformë të përgjithëshme lidhur me mënyrën e funksionimit të institucioneve financiare të vendit. Sekretari amerikan i Thesarit, Henri Polson, foli për një seri ndryshimesh të ndjeshme të hënën. Ai tha se reformat financiare janë të nevojshme për të parandaluar përsëritjen e luhatjeve në tregjet financiate të shkaktuara nga kriza e huave të dhëna nga firma sekondare.

Ndryshimet e propozuara do të transformonin mënyrën se si qeveria amerikane rregullon veprimtarinë e mijëra bizneseve, nga bankat e mëdha dhe institucionet e investimeve deri tek agjentët e sigurimeve dhe ndërmjetësit e huave. Por Sekretari Henri Polson thotë se ndryshimet nuk do të bëhen menjëherë.

" Përparësia jonë e parë dhe më urgjente është tregu i tronditur i kapitalit dhe rënia e tregut të shtëpive. Kjo do të jetë përparësia jonë, deri sa gjendja të zgjidhet. Me pak përjashtime, rekomandimet e këtij plani nuk duhet dhe nuk do të zbatohen pa u kapërcyer vështirësitë e tanishme të tregut”, - thotë zoti Polson.

Sipas rekomandimeve, do të zgjerohet ndjeshëm roli i Rezervës Federale. Me autoritetin për të mbajtur nën kontroll tregjet, Banka Qendrore do të ketë autoritetin të kontrollojë bilancin e çdo institucioni financiar që mund të bëhet kërcënim për stabilitetin e sistemit financiar të Shteteve të Bashkuara. Por plani u kritikua menjëherë nga sektori privat.

Din Bejkër, i Qendrës së Studimeve Ekonomike dhe Politikave Financiare në Uashington thotë se Uoll Striti do më pak dhe jo më shumë kontroll.

"Për mendimin tim propozimi nuk ka ndonjë vlerë të madhe. Ajo që duhet është një kontroll më i mirë ndaj sektorit bankar të investimeve. Ky është sektori i sistemit financiar që ka dalë jashtë kontrollit", - thotë ai.

Këto ndryshime vinë shumë vonë për një sistem financiar që është në krizën më të rëndë të kredive në dy dekada, një krizë që çoi në prag të falimentimit bankën e pestë më të madhe të investimeve në vend.

"Rënia e Ber Stërnit e bëri mëse të qartë problemin për gjithëkënd. Të gjithë e shikojnë tani se këta aktorë të fushiqëm, këto banka të mëdha investimesh po rrezikojnë tani stabilitetin e sistemit financiar dhe për momentin ato po veprojnë pothuajse jashtë çdo kontrolli"- tha ai.

Plani Polson, për të cilin administrata ka punuar për rreth një vit, parashikon krijimin e agjencive të reja të kontrollit për të ndjekur praktikat e biznesit dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Por duke patur parasysh kompleksitetin e çështjeve, kritikët thonë se debati për reformat financiare nuk ka të ngjarë të shuhet para zgjedhjes së presidentit të ri.//lk

XS
SM
MD
LG