Lidhje

Apathurai: Rusia të mos shqetësohet për zgjerimin e NATO-s

  • Sonja Pejs

Udhëheqësit e 26 vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut Verior fillojnë të mërkurën takimin e tyre të nivelit të lartë në Bukuresht të Rumanisë. Në krye të rendit të ditës do të jenë hapat që duhen marrë për të stabilizuar Afganistanin dhe vendet që do të pranojë Natoja në gjirin e saj në këtë raund zgjerimi.

Gjatë muajve të fundit nga Afganistani kanë ardhur njoftime shqetësuese për gjendjen në Afganistan dhe paralajmërime për mundësinë e pasojave të rënda, nëse Natoja nuk angazhohet për të shtuar numrin e trupave dhe sasinë e pajisjeve të dislokuara. Afganistani do të jetë çështja kryesore në takimin e Bukureshtit dhe zëdhënësi i Natos Xhejms Apathurai tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, se anëtarët e Natos pritet të ritheksojnë angazhimin e tyre afat-gjatë dhe rëndësinë për të rritur përkushtimin e afganëve dhe të mbarë komunitetit ndërkombëtar në këto përpjekje.

" Natoja nuk është e vetme në Afganistan dhe nuk duhet të jetë e vetme në Afganistan. Aleanca, më vete, nuk mund të ofrojë zgjidhje për Afganistanin. Na nevojitet angazhimi i Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Bankës Botërore; duhet gjithashtu që vetë afganët të bëjnë më shumë dhe të gjithë së bashku duhet të bëjmë më shumë. Zgjidhja e përbashkët për Afganistanin duhet të gjendet në kontekstin rajonal. Këtu përfshihet komunikimi me Pakistanin dhe thellimi i marrëdhënies me qeverinë e re në Pakistan, në vijim të politikës sonë", - tha ai.

Zëdhënësi Apathurai tha se Natoja mirëpret njoftimin e pritshëm të Francës, se do të dërgojë trupa shtesë në Afganistan. Takimi do të përqendrohet edhe në zgjerimin e Aleancës me anëtarë të rinj. Përsëri Xhejms Apathurai:

"Tre vende të Ballkanit Perëndimor kanë aspirata për anëtarësim. Këto janë Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia. Do të shohim në Bukuresht, nëse të tria këto vende, në se asnjë prej tyre, apo vetëm një ose dy, do të marrin ftesa. Gjeorgjia dhe Ukraina i kanë bërë publike aspiratat për t’u bërë pjesë e planit të veprimit për anëtarësim. Kjo nuk nënkupton se do t’u ofrohet anëtarësim, por se do të futen në rrugën e anëtarësimit, pa ndonjë afat specifik për realizimin e saj."- tha zëshënësi Apathurai.

Shqipëria dhe Kroacia pritet të marrin një ftesë zyrtare për antarësim, ndërsa statusi i Maqedonisë nuk është krejt i qartë.

Zgjerimi i Natos ka qenë një burim debatesh shpesh, jo vetëm brenda radhëve të Aleancës, por edhe në marrëdhëniet me Rusinë, e cila e shikon zgjerimin e Natos drejt lindjes, si një kërcënim. Zëdhënësi Apathurai thotë se Rusia nuk duhet të shqetësohet, por duhet të ftohet për t’u angazhuar në diskutimin e kësaj çështjeje:

"Është e vërtetë, që Rusia është e shqetësuar për këtë. Nga pikëpamja jonë, raundet e zgjerimit të Natos kanë treguar qartë se zgjerimi i Aleancës ndihmon qëndrueshmërinë dhe sigurimin në ato zona ku zbatohet. Prandaj mendojmë se është veprimi i duhur për të gjithë Evropën dhe se çdo vend, qoftë edhe jashtë kufijve të Natos, përfiton prej tij. Megjithatë, Rusia ka shqetësimet e saj. Ne duhet t’i diskutojmë këto shqetësime me Rusinë në përpjekje për t’i eliminuar ato" , - tha zëdhënësi.

Udhëheqësit e Natos do të kenë rastin t’i diskutojnë këto çështje me Presidentin aktual rus Vladimir Putin, i cili do të shkojë në takimin e Bukureshtit. Presidenti amerikan Xhorxh Bush ka shprehur përkrahje për anëtarësimin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë në Nato. Gjermania dhe Franca janë ndër vendet anëtare që e kundërshtojnë këtë ide, nën shqetësimet se do të pengonte përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve të Natos me Rusinë.//lk

XS
SM
MD
LG