Lidhje

USAID jep ndihma për familjet e dëmtuara të Gërdecit


USAID dhuroi sot 50 mijë dollarë në ushqime dhe materiale për familjet e prekura nga shpërthimi aksidental i municioneve në një godinë ushtarake në fshatin Gërdec, pranë kryeqytetit.

Ndihma iu dha përmes Kryqit të Kyq shqiptar për të shpërndarë pako familjare me ushqime, batanije, enë guzhine dhe materiale të tjera për afro 700 familje në 3 muajt e ardhshëm. Drejtori i USAID, Eduard Landau, thotë se edhe kjo ndihmë është një shprehje tjetër e ngushëllimeve dhe e mbështetjes së popullit amerikan ndaj viktimave të kësaj tragjedie.

“ Brenda pak orësh pas shpërthimit fillestar në 15 marsit këtu në Gërdec, USAID dërgoi ndihma për spitalet që trajtuan viktimat – thotë zoti Landau - , ndërsa sot jemi duke bashkëpunuar me Kryqin e Kuq duke i dhënë atyre rreth 50 mijë dollarë . Me to janë blerë ushqime dhe materiale të tjera për 700 familje në tre muajt e ardhshëm”.

Ndërkaq, ekspertët e ushtrisë deklaruan po sot, se kanë mbyllur fazën e emergjencës dhe operacionet e kërkim shpërtimit. Në territorin e shpërthimeve do të qëndrojnë megjithatë një numër jo i vogël forcash ushtarake të cilat do të punojnë për pastrimin e mëtejshëm të zonës nga materialet e rrezikshme ushtarake dhe do të ndihmojnë në rritjen e sigurisë së jetesës.

Ministri i ri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa vizitoi sot terrenin në qendër të kraterit të shpërthimit dhe u takua me specialistët shqiptarë dhe ata amerikanë që po kryejnë mbledhjen dhe asgjësimin e zonës së rrezikshme.

“Tani zona do të rrethohet – thotë ministri Oketa -, do të ketë vetëm një mundësi hyrje dhe dalje. Të gjithë personat që do të hyjnë do të hyjnë konform rregullave të ushtrisë. Këtu do të ngrihet një kamp i vogël, ai që ishte do të kthehet në një kamp ushtarak më të vogël, pasi edhe numri i ushtarëve që do të operojnë do të jetë më i vogël”.

24 persona humbën jetën dhe mbi 200 të tjerë u plagosën nga shpërthimi aksidental i municioneve të një godine ushtarake në fshatit Gërdec, ku dhjetëra civilë punonin për zbërthimin e armëve deri më 15 mars. Edhe pse kanë kaluar 2 javë, traumat e njërëzve, ndotjet e rrezikshme dhe dëmet e materiale të banesave janë ende të konsiderueshme.//lk

XS
SM
MD
LG