Lidhje

Bukureshti gati për takimin e nivelit të lartë të NATO-s


Në Bukuresht hapet sot takimi i nivelit të lartë të Natos. Afganistani, situata në Ballkan e veçanërisht në Kosovë, zgjerimi i Aleancës me tre anëtarë të rinj, Shqipërinë Kroacinë e Maqedoninë, përfshirja e Ukrainës dhe Gjerogjisë në Planin e Veprimit për Anëtarësim janë tema kryesore të këtij takimi. Ndërsa ftesa për anëtarësim ndaj Shqipërisë dhe Kroacisë konsiderohet një formalitet, ende pikëpyetje të mëdha mbeten mbi Maqedoninë për shkak të këmbënguljes greke e cila kërkon zgjidhje për çështjen e emrit të ish republikës jugosllave.

Sapo ve këmbën në Bukuresht bëhet mëse e qartë se asgjë nuk është në rrjedhën e një dite normale. Takimi i nivelit të lartë të Natos, i cili duke nisur nga sot dhe për dy ditë të tjera do të mbahet këtu, vetëm 4 vjet pasi Rumania iu bashkua Aleancës, dhe një vit pas anëtarësimit të saj në BE, ka shenjën e vet kudo: që nga tabelat në korridoret e aeroportit, te punonjësi i kufirit që pyet thuajse të gjithë udhëtarët nëse kanë ardhur për takimin e deri te flamujt rumunë përkrah simboleve të Natos që janë në çdo rrugë.

Forca të shumta policie janë të vendosura në çdo udhëkryq e anës rrugëve kryesore. Prej pasdites së djeshme në Bukuresht ndodhet edhe presidenti Bush dhe Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs si dhe autoritete të larta të Natos.

Në këto tre ditë Bukureshti do të jetë në një farë mënyre qendra e botës - afro 60 kryetarë shtetesh e kryeminstra, përfaqësues të lartë të Natos dhe Bashkimit Europian, por edhe të Kombeve të Bashkuara do të marrin pjesë në takim.

Në Bukuresht që sot janë pezulluar shumë aktivitete. Shkollat dhe universitetet janë mbyllur. Shumë ngë rrugët qendore gjithashtu janë kufizuar për trafikun, veçanërisht ato që të lidhin me aeroportin edhe me pallatin e parlamentit ku do të mbahet takimi. Të gjitha hotelet ku janë vendosur delegacionet, mbi 3000 pjesmarrës, por edhe gazetarët, afër 3500 nga e gjithë bota, janë nën mbikqyrjen e policisë.

Për të gjithë ata që njohin historikun por edhe funksionimin e Natos, samiti i Bukureshtit ka një interes të veçantë. Si rrallë ndonjëherë disa nga vendimet e tij pritet të marrin formë këto ditë dhe për momentin janë ende të hapura.

Që nga zgjerimi i mëtejshëm i Aleancës që përbën një moment historik për atë vetë, por edhe për tre vendet ballkanike që shpresojnë të marrin një ftesë - Shqpërinë, Kroacinë e Maqedoninë. Ndërsa për Tiranën e Zagrebin duket se gjithshka tashmë është vetëm një formalitet, pikëpyetje të mëdha ka për Maqedoninë për shkak të këmbënguljes greke lidhur me emrin e ish republikës jugosllave.

Po ashtu Aleanca, ose më mirë presidenti Bush kërkon të përfshijë në procedurat e paranëtarësimit Gjeorgjinë dhe Ukrainën, kundër dëshirës së Moskës por edhe të mjaft shteteve europiane me peshë që kërkojnë ende t’i lihet kohë një plani të tillë. Janë të paktën 12 shtete që kanë dyshime ndaj një vendimi pozitiv për Gjeorgjinë dhe Ukraninën.

Ndër temat e diskutimeve do të jetë natyrisht Afganistani, i konsideruar si një prioritet i Natos, por edhe situata në Ballkan me fokus Kosovën. Vendimi për zgjerimin pritet të merret nesër.

Delegacioni shqiptar përfaqësohet nga autoritetet më të larta të vendit: Presidenti Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha të cilët do të mbërrijnë sot në mëngjes, nga ministri i jashtëm dhe ai i mbrojtjes si dhe përfaqësues të parlamentit.//ii

XS
SM
MD
LG