Lidhje

Policia boshnjake bën kontrolle në kërkim të Radovan Karaxhiçit


Autoritetet në Bosnje-Hercegovinë kanë shtuar presionin mbi përkrahësit e dyshuar të të akuzuarit për krime lufte, Radovan Karaxhiç.

Policia bëri kontrolle në shtëpitë e dy ish rojeve të ish udhëheqësit të arratisur serb të Bosnjës Karaxhiç dhe të familjes Karaxhiç në Mal të Zi.

Policia tha se kontrollet synojnë të gjejnë të dhëna që mund të çojnë në arrestimin e Karaxhiçit. Policia serbe e Bosnjes tha se kontrollet në të njëjtën kohë u bënë sot në shtëpitë e Zhelko Maljukan dhe Dushko Mihajlloviç në Pale.

Ndërkohë, policia kontrolloi edhe shtëpinë e vëllait të Karaxhiçit në Mal të Zi dhe ndaloi për një kohë të shkurtër të nipin.

Javën e kaluar, forcat ndërkombëtare të sigurisë bastisën shtëpinë e bashkëshortes së Karaxhiçit, vajzës së tij dhe një ish-fqinji tjetër.

Radovan Karaxhiç dhe ish komandanti i tij gjenerali Ratko Mladiç i janë shmangur drejtësisë që kur Gjykata e Kombeve të Bashkuara për krime lufte ngriti akuzën kundër tyre në vitin 1995 për krime lufte dhe gjenocid të kryera gjatë konflikteve në ish Jugosllavi në vitet 90-të. (ze)

XS
SM
MD
LG