Lidhje

Mbrojtja nga raketat temë kryesore e takimit Bush-Putin në Soçi


Presidenti Xhorxh Bush do të takohet me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin më 6 prill në shtëpinë e pushimit të udhëheqësit rus në Soçi të brigjeve të Detit të Zi. Pritet që bashkëpunimi mes dy vendeve për mbrojtjen nga raketat antibalistike të jetë në krye të rendit të ditës.

Kur Presidenti Bush të takohet me Presidentin rus Putin të djelën, të dy udhëheqësit pritet të diskutojnë një sërë çështjesh të rëndësishme, por më kryesorja plani i administratës amerikane për mbrojtjen nga raketat në Evropë.

Muajin e kaluar, Sekretarja e Shtetit, Kondolisa Rajs dhe Sekretari i Mbrojtjes, Robert Gejts zhvilluan bisedime me zyrtarë të lartë rusë në Moskë. Ata dorëzuan edhe një letër të Presidentit Bush për Presidentin rus, të cilën zoti Putin e përshkroi si “një dokument serioz qëllimi i të cilit është zgjidhja e mosmarrëveshjeve mes të dy vendeve”.

Ish ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, John Bolton tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se një sistem mbrojtës nga raketat kundrejt vendeve të papërgjegjëshme që kanë aftësi bërthamore ka qënë një nga përparësitë kryesore të administratës së Presidentit Bush.

"Në vitin 2001, Presidenti Bush u shpreh për një bashkëpunim të plotë me Rusinë, me qëllim që të dy vendet të ndërtonin sisteme mbrojtëse nga raketat. Ajo ishte një ofertë e sinqertë, por për fat të keq rusët nuk e konsideruan si të tillë”.

Zoti Bolton thotë se Presidenti Bush është i vendosur të sigurojë të ardhmen e programit të mbrojtjes nga raketat para se t’i përfundojë mandati janarin e ardhëshëm.

Rusia është kategorikisht kundër planit amerikan për vendosjen e raketave interceptuese në Poloni dhe një sistemi radarësh në Republikën Çeke. Moska thotë se plani kërcënon sigurinë e Rusisë, ndërsa Uashingtoni këmbëngul se ky sistem mbrojtës ka për qëllim mbrojtjen e Evropës nga një kërcënim i mundshëm nga Irani.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavror, u tha gazetarëve muajin e kaluar se Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord ta lejojnë Moskën të mbikqyrë sistemin mbrojtës nga raketat.

Para se të largohej nga Uashingtoni, zoti Bush u shpreh me optimizëm për arritjen e një marrëveshjeje për një sistem mbrojtës raketash antibalistike.

Anxhela Stent e Universitetit Xhorxhtaun beson se marrëveshja është e mundëshme në qoftë se përfshin stimuj nga pala amerikane.

"Ka mundësi për marrëveshje. Por menodoj se rusët do të binin dakord me Shtetet e Bashkuara për vendosjen e sistemit mbrojtës në Republikën Çeke dhe Poloni, që më parë ka qënë diçka e panegociueshme, nëse amerikanët do t’u ofronin diçka”.

Zonja Stent, ish zyrtare e Këshillit të Zbulimit Kombëtar amerikan, thotë se nuk ka të ngjarë që Shtetet e Bashkuara të heqin dorë nga pikat e caktuara për vendosjen e sistemit mbrojtës nga raketat, si kusht për të arritur marrëveshje me Moskën.

"Mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë dëshirë të bashkëpunojnë me Rusinë për këtë çështje dhe kjo nuk është thejsht propagandë. Por është gjithshtu e vërtetë, se administrata e Presidentit Bush nuk do të heqë dorë nga vendosja e sistemit mbrojtës nga raketat në Republikën Çeke dhe në Poloni”.

Takimi Bush-Putin i të djelës ka të ngjarë të jetë i fundit mes dy presidentëve. Zotit Putin i përfundon mandati i Presidentit të Rusisë më 7 maj. //iç//

XS
SM
MD
LG