Lidhje

Rusia kërcënon të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në OKB


Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se Moska do t'i përgjigjet çdo zgjerimi të mëtejshëm të NATO-s me kapacitetin e saj të mbrojtjes dhe fuqinë ekonomike. Zoti Lavrov foli sot në Moskë ndërsa presidenti amerikan George Bush u bëri përsëri thirrje 27 vendeve të alancës së NATOs të ftojnë Ukrainën dhe Gjeorgjinë për të filluar procedurat e hyrjes në NATO.

Agjencitë ruse të lajmeve citojnë komentet e zotit Lavrov para ligjvënësve rusë, ku ai theksoi se nuk do të ketë zgjerim të NATOs pa kundërpërgjigje nga Moska. Shefi i diplomacisë ruse tha se Moska do të marrë në shqyrtim mundësinë e një rezolute parlamentare për njohjen e dy rajoneve separatiste të Gjeorgjisë, si rezultat i njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Ai përmendi gjithashtu edhe rajonin separatist të Trans-Dnistrias në Moldavi. Ministri i Jashtëm rus tha se Moska do ta përdorë vendin e saj në Këshillin e Sigurimit për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Duke iu drejtuar ligjvënësve në Dhomën e Ulët të parlamentit rus, Duma, Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov tha se rritja e tensioneve në zonat me pakicë serbe në Kosovë është rezultat i drejtëpërdrejtë i atyre që ai i quajti politika të papërgjegjëshme dhe dritëshkurtra që vijnë nga shpallja e njëanëshme e pavarësisë së Kosovë.

Zoti Lavrov akuzoi Bashkimin Evropian për sanksionimin dhe inkurajimin e pavarësisë së Kosovës. Zoti Lavrov tha se Rusia, si anëtare e përherëshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së gëzon autoritetin që të mos lejojë Kosovën të bëhet anëtare me të drejta të plota në Kombet e Bashkuara. Nuk ka, shtoi ai, asnjë mënyrë tjetër veç kësaj.

Analisti politik Alexei Malashenko i Qendrës Carnegie në Moskë thotë se Rusia mund të mbështetet tek disa ish republika sovjetike si Kazakhsitani për të fuqizuar pozicionin e saj për Kosovën në Kombet e Bashkuara. Por ai thekson se kërcënimi i vetos nuk ka më ndikimin që kishte kur vendi i Moskës në Këshillin e Sigurimit mbahej nga Bashkimi Sovjetik.

Zoti Malashenko thotë se Rusia do ta ketë të vështirë ta bëjë realitet kundërshtimin e saj, veçanërisht nëse shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit favorizojnë pranimin e Kosovës. Ai thotë se Rusia dhe Serbia nuk duhet të ndalen vetëm tek fjalët, për t’u përballur me realitetin politik pas pavarësisë së Kosovës.

Zoti Malashenko thotë se Beogradit do t’i duhet të zbrapset për shkak të së ardhmes së tij në Evropë. Marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë, thotë ai, përbëjnë një taktikë, duke shtuar se Beogradi dhe Moska duan të gjejnë një zgjidhje kompromisi për Kosovën. //iç//

XS
SM
MD
LG