Lidhje

Presidenti Bush mbështet kandidaturat e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në NATO


Presidenti amerikan Xhorxh Bush shprehu besimin se takimi i NATO-s në Bukuresht do ta rrisë numrin e forcave të aleancës në Afganistan. Zoti Bush i bëri komentet në kryeqytetin rumun ndërkohë që u takua me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jap de Hoop Schefer pak para se udhëheqësit e aleancës të hapnin takimin me një darkë pune.

Presidenti amerikan i bëri thirrje Aleancës që të vazhdojë zgjerimin drejt lindjes dhe t’u japë ftesa anëtarësimi Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë. Presidenti Bush shpalosi politikat e tij për NATO-n gjatë një fjalimi në Bukuresht.

Ndërkohë që bëhet gati për të marrë pjesë për herë të fundit në një takim të nivelit të lartë të Natos në postin e Presidentit amerikan, zoti Bush theksoi synimet e tij për Aleancën.

Në një fjalim drejtuar një grupi ekspertësh të sigurisë, të transmetuar drejtpërdrejt nga televizioni rumun, ai preku çështje të njohura tashmë...- anët pozitive të zgjerimit të NATO-s, kërcënimet terroriste dhe rëndësinë e operacioneve të NATO-s në Afganistan.

Presidenti Bush theksoi se gjatë kohës së presidencës së tij, Natoja është zgjeruar duke përfshirë anëtarë të rinj nga Deti Baltik deri në Detin e Zi. Ai tha se Ukrainës dhe Gjeorgjisë u duhet dhënë shansi.

“Këtu në Bukuresht, duhet ta bëjmë të qartë se Natoja mirëpret aspiratat e Gjeorgjisë dhe Ukrainës për anëtarësim dhe u ofron atyre një shteg të qartë përpara që të arrijnë synimin”.

Por Rusia është tërësisht kundër. Ndërsa Franca dhe Gjermania mendojnë se tani mund të mos jetë koha e përshtatshme për të filluar procesin e pranimit të dy ish republikave sovjetike në Aleancë. Veç kësaj, në këtë takim të Aleancës mund të dalin qartë mospajtime lidhur me kërkesën për shtimin e trupave të Natos në Afganistan. Në fjalimin e tij, presidenti amerikan tha se nevojiten më shumë forca.

“Afganistani ka nevojë për siguri, dhe në këtë pikë po përpiqet të ndihmojë NATO-ja.”

Më pas presidenti Bush u takua me homologun rumun Traian Basescu në vendpushimin presidencial në Detin e Zi. Në një konferencë të përbashkët shtypi, ai theksoi vendosmërinë e Rumanisë përsa i përket Afganistanit dhe i bëri thirrje bllokut që shtojë numrin prej 47 mijë trupash që gjenden aktualisht atje.

“Ne presim që aleatët tanë të marrin përsipër barrën e nevojshme për të qenë të suksesshëm.”

Presidenti rumun vazhoi me të njëjtin ton.

“Çdo dështim i Natos në Afganistan do të zbehte dramatikisht kredibilitetin e organizatës tonë.”

Dy udhëheqësit u kthyen në Bukuresht para fillimit të takimit të nivelit të lartë. Presidenti amerikan zhvilloi një takim kokë-më-kokë me Sekretarin e Përgjithshëm të Natos Jaap de Hoop Scheffer para se të merrnin pjesë me udhëheqësit e tjerë të NATO-s në një darkë pune. Si presidenti ashtu edhe shefi i NATO-s parashikuan arritje pozitive nga takimi i NATO-s mbi Afganistanin dhe sistemin e mbrotjes nga raketat në Evropë.

“Jam optimist se ky do të jetë një takim shumë i suksesshëm”.

Nga fundi i javës presidenti rus Vladimir Putin do të marrë pjesë në punimet e takimit të NATO-s për diskutime në çështje që prekin interesat e Moskës, kryesisht sistemin e mbrojtjes nga raketat. Presidenti Bush do të takohet edhe me zotin Putin të dielën në shtepinë e tij në Sochi.....një vendpushim në Detin e Zi. Presidenti amerikan thotë se pret të jetë një diskutim i sinqertë, duke theksuar se ky do të jetë takimi i fundit para se zoti Putin të lerë postin në muajin Maj. //iç//

XS
SM
MD
LG