Lidhje

Pano: Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, zhvillimi më i rëndësishëm pas komunizmit


Një ekspert shqiptaro-amerikan e quan anëtarësimin e pritshëm të Shqipërisë në NATO, zhvillimin më të rëndësishëm diplomatik për vendin në periudhën pas komuniste. Prof. Nikolla Pano, historian në Universitetin e Ilinoit Perëndimor tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se ky zhvillim i hap Shqipërisë rrugën për anëtarësim më të shpejtë në Bashkimin Evropian, e rrit prestigjin e saj, kontribuon në qëndrueshmërinë e rajonit, por shërben edhe si nxitje për të vazhduar bashkëpunimin politik dhe reformat.

Zëri i Amerikës: Prof. Pano, NATO-ja vendosi t’u bëjë ftesa për anëtarësim Shqipërisë dhe Kroacisë. Cili është komenti juaj?

Prof. Nikolla Pano: Pa dyshim që kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme, përsa u takon marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë. Në fakt, do të thoja që është zhvillimi më i rëndësishëm diplomatik deri tani, në historinë e Shqipërisë, në periudhën pas komunizmit. Nga këndvështimi im, kjo shënon një hap tjetër të madh në procesin e transformimit të Shqipërisë nga vendi më i izoluar në Evropë dhe ndoshta ndër një nga vendet më jodemokratike në Evropë, tek anëtarësimi në një organizatë ndërkombëtare, anëtare të së cilës janë praktikisht të gjitha vendet e Evropës, si edhe Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja. Sigurisht që ky është fundi i izolimit të Shqipërisë dhe fillimi i anëtarësimit të saj të plotë në komunitetin ndërkombëtar. Dhe ky zhvillim, mendoj se gjithashtu është një shenjë e mirë edhe për përpjekjet e Shqipërisë për të realizuar anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Fakti që aleanca e pa të arsyeshme që të vlerësojë përparimin e Shqipërisë për plotësimin e kritereve të kësaj organizate (NATO-s), sigurisht që do të jetë një argument më shumë në favor të Shqipërisë për anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Çfarë të mirash konkrete do të sjellë anëtarësimi për popullin shqiptar?

Prof. Nikolla Pano: Para së gjithash, nën ombrellën e NATO-s, Shqipëria fiton një shkallë sigurie dhe mendoj se kjo është e rëndësishme duke pasur parasysh tensionet që duket se po shfaqen në marrëdhëniet mes Evropës Perëndimore dhe Rusisë, lidhur me Kosovën, mbi interesin e Shteteve të Bashkuara për ngritjen e sistemit të mbrojtjes nga raketat në Poloni dhe Republikën Çeke, si edhe disa çështje ekonomike.

Mendoj se me faktin që Rusia po ndërhyn në çështjen e Kosovës, dhe që Shqipëria natyrisht është një përkrahëse e fortë e Kosovës, rritja e sigurisë do t’i shërbejë shumë popullit shqiptar.

Së dyti, siç thashë më parë, anëtarësimi në NATO përmirëson shanset e Shqipërisë për anëtarësim në BE, gjë që sigurisht do të sillte shumë të mira për popullin shqiptar.

Për më tepër, me rritjen e prestigjit ndërkombëtar të Shqipërisë, anëtarësimi në NATO është tregues i përparimit në forcimin e sistemit ligjor, është vlerësim i luftës kundër trafikut të drogës dhe atij njerëzor, lë të kuptohet se ka më shumë qëndrueshmëri të brendshme dhe kjo besoj se do të krijojë brenda vendit kushte që do ta bënin atë më tërheqës për më shumë investime ndërkombëtare dhe sigurisht që kjo do të rriste mirëqenien e Shqipërisë. Pra do të ketë disa përfitime praktike nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO.

Zëri i Amerikës: Duket se ky vendimi u mor edhe për arsye strategjike. A mund të na thoni se çfarë mendoni se do të thotë për aleancën që të ketë në gjirin e saj vende si Shqipëria dhe Kroacia?

Prof. Nikolla Pano: Para së gjithash mendoj se me anëtarësimin e vendeve si Kroacia dhe Shqipëria dhe më pas pa dyshim me vende të tjera, kompletohet rrjeti i vendeve të NATO-s. Me pranimin e Kroacisë dhe Shqipërisë, mendoj se NATO-ja do të jetë në gjendje që të ushtrojë më shumë ndikim për probleme që mund të shfaqen në Ballkan dhe që shqetësojnë vendet anëtare.

Mendoj se fakti që Shqipëria ka qenë një anëtare e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar, për çështje të tilla si ajo e Kosovës, e përmirëson edhe më shumë imazhin e Shqipërisë në sytë e vendeve të NATO-s dhe ky faktor e rrit edhe më shumë besimin e këtyre vendeve përsa i takon Shqipërisë dhe mendoj se kjo është e vërtetë edhe për Kroacinë.

Kështu që vendet e NATO-s do të kenë disa përfitime, por edhe do të luajnë një rol vëzhgues për ruajtjen e qëndrueshmërisë në Ballkan.

Zëri i Amerikës: Standardet për anëtarësimin në NATO dhe në të ardhmen edhe në Bashkimin Evropian, kanë shërbyer edhe si presion ndaj klasës politike shqiptare për rezultate. Me anëtarësimin në NATO, cilat janë mjetet që do të shërbejnë për ta bërë klasën politike shqiptare të bashkëpunojë duke pasur parasysh edhe zhvillimet dhe tensionet e fundit politike në vend?

Prof. Nikolla Pano: Së pari, fakti që shqiptarët ia arritën qëllimit për t’u anëtarësuar në NATO, nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit midis partive, jo vetëm atyre të mëdha por edhe më të vogla. Pati një unanimitet midis të gjitha forcave politike shqiptare se anëtarësimi në NATO ishte një objektiv që e donin të gjithë dhe kjo u arrit. Ky synim ishte shtysa për ndërmarrjen e disa reformave. Janë bërë përparime në reformën në drejtësi, në reformën zgjedhore, por duhet punuar dhe më shumë. Në qoftë se lufta politike, korrupsioni masiv do të vazhdojë, në qoftë se do të vazhdojë ky rivalitet shkatërrimtar që ka helmuar sistemin politik në Shqipëri, hyrja e vendit në Bashkimin Evropian do të vonohet. Anëtarësimi në NATO nuk do të thotë që procesi i reformave në Shqipëri ka përfunduar. Shqiptarët duhet t’i ritheksojnë përpjekjet e tyre, të mbrojnë të drejtat e njeriut dhe hartojnë ligje të drejta të inkurajojnë investimet e huaja të rëndësishme. Të gjitha këto sfida mbeten dhe mendoj se këto duhet të jenë një frymëzim për klasën politike në Shqipëri për të vazhduar këtë përpjekje në drejtim të bashkëpunimit. Pa këto, shpresa për investime më të mëdha që i sjellin Shqiprisë më shumë zhvillim, shpresa që prestigji ndërkombëtar i Shqipërisë që është rritur si pasojë e ftesës për anëtarësim në NATO, të gjitha do të mbeten në vend dhe për këtë arsye, bashkëpunimi që mundësoi anëtarësimin në NATO duhet të vazhdojë dhe reformat në vend duhet të jenë reale, të prekshme dhe konstruktive.

Desha të theksoj diçka: Është merita e të gjithë drejtuesve shqiptarë që nga Aleksandër Meksi, Fatos Nano, Pandeli Majko, Ilir Meta dhe Sali Berisha, të cilët si kryeministra kanë qenë tepër të rëndësishëm për arritjen e anëtarësimit në NATO. Të njëjtat merita kanë edhe presidentët që nga Sali Berisha, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi. Mendoj se kjo mënyrë bashkëpunimi i ka sjellë frytre Shqipërisë dhe politikat konstruktive duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Ju theksuat se ftesa për anëtarësim për Shqipërinë dhe Kroacinë është diçka e rëndësishme për të tërë rajonin. Si e shikoni ju faktin se që Maqedonia nuk arriti të marrë një ftesë në këtë takim për shkak të mosmarrëveshjes për emrin me Greqinë?

Prof. Nikolla Pano: Fatkeqësisht, çështja e Maqedonisë është lidhur me problemin e emrit. Grekët nuk kanë shprehur gadishmëri për kompromis. Gjithashtu edhe brenda Maqedonisë ka pasur disa vështirësi politike, të cilat kanë frenuar negociatat për emrin. Gjatë vitit të ardhshëm, duhet të ketë një përpjekje të përbashkët për të ardhur në një lloj marrëveshje mbi problemin e emrit. Mendoj se ky problem mund të kalohet. Janë bërë disa sugjerime dhe ka ardhur koha që këto të merren në konsideratë në mënyrë që procesi i anëtarësimit të të tre vendeve ballkanike të kompletohet.//kk//


XS
SM
MD
LG