Lidhje

Shqipëria, përparim në objektivat e mijëvjeçarit, por papunësia, tregu informal mbeten beteja të pafituara


Një nga anëtaret e qeverisë shqiptare foli dje në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork për ecurinë dhe sfidat në realizimin e objektivat e mijëvjeçarit të OKB-së. Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, tha dje në mbrëmje në një intervistë për Zërin e Amerikës, se Shqipëria ka bërë përparim drejt këtyre objektivave, por pranoi se papunësia dhe informaliteti vazhdojnë të mbeten beteja të pafituara.

Zonja Bregu thotë se gjendja është përmirësuar në krahasim me tre-katër vjet më parë, por e pranon se jo të gjitha standardet janë plotësuar. Ajo e vë theksin tek vështirësitë për reformimin e sistemit të shëndetësisë, si edhe tek papunësia.

“Një nga detyrimet e tjera më të rëndësishme është sigurisht një vëmendje më e madhe në reduktimin e papunësisë”.

Zonja Bregu shton se ajo që e vështirëson më shumë zgjidhjen e këtij problemi, është mungesa e statistikave të qarta dhe të sakta për papunësinë, për aq kohë sa niveli i informalitetit në tregun shqiptar, është ende i lartë. Ajo thotë se serioziteti i kësaj dukurie u pasqyrua qartë edhe në ngjarjen e Gërdecit, ku gratë nuk ishin regjistruar si të punësuara dhe nuk dihej se kishte fëmijë.

“Pranoj edhe në emër të qeverisë shqiptare që lufta kundër informalitetit, është një nga betejat më të rëndësishme që ende duhet fituar. Nuk ka vend për të kënaqur veten apo për të bërë le të themi një shplarje të kësaj atmosfere me shifra të cilat mund të konsiderohen shumë më tepër optimiste sesa elementë të veçantë, të cilat ju mund t’i vini re. Por theksoj atë që thashë më parë se lufta kundër informalitetit, është një nga betejat më të rëndësishme jo vetëm të kësaj qeverie, por do të vazhdojë sigurisht të jetë edhe më tutje”.

Zonja Bregu thotë se një nga reformat kryesore kundër informalitetit, është mundësia për t’ju ofruar bizneseve lehtësira fiskale, duke u dhënë mundësinë për të deklaruar të punësuarit dhe për të pasur një raport më të mirë me sigurimet shoqësore. Megjithatë ajo e pranon se bëhet fjalë për një proces të vështirë dhe që do të kërkojë ende kohë për t’u realizuar.

Takimi për objektivat e mijëvjeçarit dje dhe të hënën, u karakterizua nga shqetësimi për suksesin e pamjaftueshëm në shumë vende tetë vjet pas ndërmarrjes së nismës që kishte si synim kryesor pakësimin e varfërisë në botë. Kthimi i vëmendjes tek këto objektiva synonte që t’i jepte atyre një shtysë për realizim deri në vitin 2015.

Ministrja Bregu tha dje gjysma e vendeve nuk i kanë plotësuar objektivat, por Shqipëria ishte mes atyre që kishin realizuar sukses, sidomos për treguesit kryesore veçanërisht për arsimin dhe ekonominë.

“Vëmendja është përqendruar në plotësimin e detyrimeve kryesore të cilat nuk bëhen vetëm për hir të faktit se këto janë objektiva të zhvillimit të mijëvjeçarit, por sepse janë pjesë e reformave të domosdoshme për zhvillimin e vendit”.

Ajo përmendi si tregues të përparimit, rritjen e pagave dhe deri dyfishim e tyre për profesione të tilla si arsimi dhe mjekësia, si edhe dysfishimin e pensioneve në vend.

XS
SM
MD
LG