Lidhje

NATO pritet të mbështesë sistemin e mbrojtjes nga raketat


Shtetet e Bashkuara dhe Republika Çeke arritën një marrëveshje për dislokimin e elementëve kyç të një sistemi për mbrojtjen nga raketat në këtë vend të Evropës qëndrore. Në një deklaratë të përbashkët të takimit të NATO-s në Bukuresht, të publikuar sot, thuhej se marrëveshja do të nënshkruhet në muajin maj.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, e cila kundërshtohet ashpër nga Rusia, radarët do të dislokohen në Republikën Çeke dhe 10 raketa në Poloni. Uashingtoni dhe Varshava ende vazhdojnë negociatat për këtë plan. Një zyrtar amerikan thotë se udhëheqësit e Natos ranë dakord në takimin e nivelit të lartë të Aleancës për të mbështetur planet për një sistem të mbrojtjes nga raketat në Evropë. Udhëheqësit e Natos pritet t’i bëjnë thirrje Rusisë të heqë dorë nga kundërshtimet e saj.

Një zyrtar i lartë amerikan thotë se Natoja ka rënë dakord të mbështesë sistemin e mbrojtjes nga raketat në deklaratën përfundimtare pas takimin e saj të nivelit të lartë. Ai thotë se deklarata do të vlerësojë kontributin e konsiderueshëm që do të japë sistemi për mbrojtjen e Evropës nga kërcinimi i raketave me rreze të gjatë veprimi, veçanërisht nga Lindja e Mesme.

Kjo është një fitore madhore për administratën e Presidentit Bush, e cila ka udhëhequr përpjekjet për dislokimin e një sistemi radarësh në Republikën Çeke dhe të interceptorëve në Poloni. Rusia e kundërshton me forcë këtë ide, duke thënë se do të hapë një garë të re armatimesh në kontinent.

Presidenti Bush i ka bërë thirrje Rusisë të rishqyrtojë qëndrimin e saj. Ai thekson se Lufta e Ftohtë ka marrë fund dhe se Rusia nuk është objekt sulmesh. Në një konferencë për shtyp, vetëm disa orë para se udhëheqësit e Aleancës të fillonin punën në Bukuresht, Presidenti Bush i ofroi garanci të reja Moskës. Ai tha se mbrojtja nga raketat do të jetë në krye të rendit të ditës në diskutimet me Presidentin rus Vladimir Putin në pikën e pushimeve Soçi në Detin e Zi: "Më duhet të paraqes argumenta bindëse. Por edhe zoti Putin duhet ta kuptojë se sistemi i mbrojtjes nga raketat ka si objektiv regjimet e papërgjegjshme në Lindjen e Mesme, të cilët na kërcënojnë të gjithë ne".

Presidenti Bush parashikon se bisedimet do të jenë të sinqerta dhe të hapura. Presidenti i ardhshëm rus Dimitri Medvedev, i cili merr postin muajin e ardhshëm, do të jetë i pranishëm në bisedimet në Soçi. //ad//

XS
SM
MD
LG