Lidhje

Bush: Shqipëria dhe Kroacia do të jenë anëtare të shkëlqyera të aleancës


Si Kryetar i Këshillit të NATO-s, Presidenti Bush shprehu kënaqësinë për ftesën që alenaca u bëri Shqipërisë dhe Kroacisë, si dhe keqardhjen që këtë herë Maqedonia mbeti jashtë.

Presidenti Bush tha se Shqipëria dhe Kroacia kanë kontribuar me forca në misionet e NATO-s dhe kanë ndërmarrë reforma sfiduese politike, ekonomike dhe ushtarake.

“Shqipëria dhe Kroacia janë të përgatitura të përmbushin përgjegjësitë që mbart me vete pjesëmarrja në NATO. Ato do të jenë anëtare të shkëlqyera të kësaj aleance”.

Presidenti Bush theksoi se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia nuk e marrin lirinë si diçka të garantuar, sepse ato e mbajnë ende mend periudhën kur ajo u mungonte. Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e aleancës, tha zoti Bush, mbështesin fuqimisht aspiratat e popujve të tyre dhe zotohen t’i mbështesin ato në procesin e reformave të mëtejshme.

“Sëbashku ne do të vazhdojmë të ndërtojmë një Evropë të qendrueshme, të fortë dhe të lirë. Ne do ta bëjmë rajonin dikur të trazuar të Ballkanit edhe më të qendrueshëm. Ne do të demonstrojmë përfitimet që vinë duke u vënë në krah të forcave të lirisë”.

Në fjalën e tij, Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi u shprehu të pranishëmve mirënjohjen dhe falenderimin e popullit shqiptar për ftesën që iu bë për të filluar procesin e anëtarësimit në NATO.

"Sot vendi im nënshkroi aktin më të rëndësishëm në historinë e tij. Sot, populli shqiptar shkëputet përfundimisht nga e kaluara e Jaltës dhe Potsdamit. Shqipëria denjësisht dëshmon se liria dhe demokracia kthen virtyte edhe në vendin ku, jo më shumë se dy dekada më parë, diktatura më e egër në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore, e kishte kthyer në institucion dhunën ndaj lirisë dhe së drejtës. Si President i Shqipërisë dëshiroj të falenderoj të gjitha vendet mike, të cilat besuan në kërkesën dhe dëshirën e sinqertë euro-atlantike të popullit shqiptar dhe e mbështetën atë. Kjo ëndërr, e cila lindi natyrshëm qysh në ditët e para të çlirimit të shoqërisë shqiptare nga komunizmi, u realizua sot në Bukuresht. E gjithë shoqëria shqiptare, politika shqiptare, mediat, përfaqësuesit e shoqërisë civile në Shqipëri janë të vendosur dhe të përgjegjshëm për të mbështetur anëtarësimin e vendit në NATO".

Shqipëria tha më tej, Presideni Topi, ka hyrë tashmë në rrugën e pakthyeshme të ndërtimit të një shteti të së drejtës. Shqipëria është e gatshme të bëhet pjesë e politikave të sigurisë dhe demokracisë të aleancës si në planin rajonal ashtu edhe atë global.

Kryeministri Sali Berisha falenderoi vendet e NATO-s për këtë vendim “shumë historik” siç u shpreh ai, “për ta ftuar Shqipërinë të bëhet anëtare e NATO-s, aleancës më të sukseshme që ka njohur koha”.

"Do të dëshiroja të bëja një betim solemn sot para jush, se ne e vlerësojmë këtë besim, si një përgjegjësi të madhe të vendit tim ndaj vendeve tuaja për të kryer të gjitha reformat, për të miratuar dhe zbatuar të gjitha vendimet, për të plotësuar dhe konsoliduar standardet politike, sociale, ekonomike dhe ushtarake të NATO-s”.

Kryeministri Berisha e përfundoi fjalën e tij me një falenderim emocional drejtuar gjithë vendeve anëtare të NATO-s, duke thënë se ftesa që i bëhet Shqipërisë për t’u pranuar në aleancë është një mrekulli e lirisë.

Pas marrjes së kësaj ftese të shumëpritur, Shqipëria dhe Kroacia pritet të bëhen anëtare të NATO-s brenda dy vjetësh, pas ratifikimit të anëtarësisë nga parlamentet e tyre. //ad//

XS
SM
MD
LG