Lidhje

40 vjetori i vrasjes së Dr. Martin Luther King


Udhëheqësi i të drejtave civile të afrikano-amerikanëve, Dr. Martin Luther King Jr. U vra 40 vjet më parë më 4 prill të vitit 1968 në Memphis të shtetit Tennessee. Vdekja e tij solli një valë protestash anti racore në mbarë Shtetet e Bashkuara. Edhe sot, disa vënë pikëpyetje mbi faktin se një hetim zyrtar fajësoi për vrasjen vetëm një njeri të vetëm. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Chris Simkins i hedh një vështrim ditëve të fundit të Dr. Kingut dhe ndikimin e menjëhershëm që pati vdekja e tij në mbarë vendin.

40 vjetë më parë, pastori Martin Luther King Jr. shkoi në Memphis të Tenesisë për të drejtuar një fushatë për punonjësit sanitarë që protestonin për pagat e tyre të ulta dhe kushtet e vështira të punës. Ende i ri në moshë, vetëm 39 vjeç, ai ishte bërë udhëheqësi i të drejtave civile të vendit, i njohur për marshimet dhe demonstratat e tij paqësore. Ky ishte qyteti ku ai do të vdiste.

Aktivisti i të drejtave civile dhe profesori i historisë Michael Honey, autori i një libri rreth ditëve të fundit të pastorit King në Memphis, thotë se udhëheqësi po përpiqej të formonte një koalicion që lidhte çështjen e të drejtave civile me ato të punës."Ai bëri thirrje për një grevë të përgjithshme në qytetin e Memphisit të punëtorëve, mësuesve dhe studentëve. Kjo do të ishte një majë e lartë në lëvizjen e të drejtave civile. Ajo nuk kishte ndodhur kurrë më parë në këtë qytet. Ajo do të ishte një pikë e lartë edhe për lëvizjen e punës".

Natën përpara se të vritej pastori King, ai dha predikimin e tij të fundit gjatë së cilit dukej se parashikonte fatin e tij. "Si të gjithë, do të doja të jetoja gjatë. Jetëgjatësia ka vendin e saj. Por nuk jam i shqetësuar për të tani, Unë dua të bëj dëshirën e Zotit. Dhe ai më ka lejuar mua t’i ngjitem malit kam hedhur vështrimin prej andej dhe kamë parë tokën e premtuar".

Më 4 prill të vitit 1968, ndërsa qëndronte në ballkonin e Motelit Lorraine, Dr. King u qëllua në qafë. Ai vdiq pas pak në spital. Protestat shpërthyen atë natë në disa nga qytetet kryesore amerikane. Më 9 prill, më shumë se 50 mijë njerëz morrën pjesë në funeralin e Dr. Kingut në Atlanta. Policia e Memphisit më vonë identifikoi të dyshuarin. James Earl Ray u arrestua disa javë më vonë në Londër me një pasaportë fallco. Megjithëse Ray deklaroi fajësinë dhe u dënua, disa vjetë më vonë ai e tërhoqi rrëfimin e tij. Ai tha se se ishte vetëm një lojtar i thjeshtë i komplotit. Por një hetim i hollësishëm i Departamentit të Drejtësisë arriti në përfundimin se Ray kishte vepruar i vetëm.

Familja e Dr. Kingut e hodhi poshtë përfundimin. Historiani Michael Honey thotë se 40 vjetë më vonë, pyetjet mbeten ende pa përgjigje sidomos në Memphis. "Mendoj se çështja për komunitetin afrikano-amerikan qëndron në faktin se përfundimi nuk ishte asnjëherë i kënaqshëm. Besohet gjerësisht se vrasësi nuk veproi i vetëm dhe se njerëz të tjerë në agjencitë shtetërore mund të kenë qënë të përfshirë – ndoshta vetë policia", thotë historiani.

Protestat anti racore që u përhapën në më shumë se 100 qytete amerikane zgjatën për disa ditë ndërsa u dogjën shumë lagje të afrikano-amerikanëve. Më mbarë vendin u vendos ndalim-qarkullimi. Qeveria mobilizoi gati 50 mijë ushtarë për të ndihmuar në zbutjen e dhunës. Gati 21 mijë njerëz u arrestuan. Gati 50 vetë vdiqën. Rreth 2 mijë e 600 të tjerë u plagosën. Dhe miliona dollarë humbje pati nga shkatërrimi i pronave.

40 vjetë pas vdekjes së Dr. Kingut, shumë afrikano-amerikanë ende kërkojnë ëndrën e tij për barazi dhe mundësi, veçanërisht në komunitetet urbane ku Dr King e kishte përqëndruar vëmendjen në ditët e tij të fundit. //rd//

XS
SM
MD
LG