Lidhje

Çeku: Aktualisht shqiptarët janë faktori kyç për stabilitetin në Ballkan


Me ftesën që i është dhënë Shqipërisë për antarësim në Nato, provohet edhe një herë se shqiptarët janë një faktor stabiliteti në rajon, shprehet ish-kryeministri i Kosovës Agim Çeku. Ai e shikon këtë vendim të Aleancës si një tjetër hap historik në historinë e kombit shqiptar, që pason shpalljen në shkurt të pavarësisë së Kosovës. Zoti Çeku komenton edhe mbi ndikimin që do të ketë mbi atmosferën politike të Kosovës shpallja e pafajësisë së zotit Ramush Haradinaj:

Zëri i Amerikës: Zoti Çeku deshëm të marrim fillimisht reagimet tuaja lidhur me vendimin e Hagës për të shpallur të pafajshëm zotin Ramush Haradinaj:

Agim Çeku: Ishte një lajm shumë i mirë për mua dhe për familjen e zotit Haradinaj, por edhe për gjithë shqiptarët kudo që janë. Aq sa ishte lajm i mirë, ky ishte edhe një lajm i pritur se të gjithë kemi qenë të bindur në pafajësinë e tij, të gjithë kemi qenë të bindur në pastërtinë e luftës së Kosovës dhe të çdo shqiptari gjatë kësaj lufte. Edhe një herë u dëshmua ajo që kemi thënë që nga dita e parë e ngritjes së aktakuzës ndaj zotit Haradinaj.

Zëri i Amerikës: Tani që zoti Haradinaj kthehet në politikë, si pritet të ndikojë kjo në skenën politike të Kosovës. Ka zëra që mund të forcojë opozitën aktuale.

Agim Çeku: Zoti Haradinaj ka qenë aktiv tërë kohën në politikë dhe është drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, partisë politike që sot është në politikë. Është një lider shumë i rëndësishëm për politikën në Kosovë, për stabilitetin në Kosovë, për të ardhmen e Kosovës. Emri i tij lidhet ngushtë edhe me luftën, por edhe emri i familjes së tij. Ai do të jetë një faktor shumë i rëndësishëm. Besoj që edhe partia që ai drejton do të jetë edhe më e fuqishme dhe duke njohur atë, mendoj që çfarëdo roli që të luajë do të jetë në shërbim të vendit dhe proceseve dhe besoj që do të jetë një opozitë pozitive.

Zëri i Amerikës: Të ndalemi tek ambicjet tuaja politike. Flitet që keni synime të krijoni një parti të re.

Agim Çeku: Nisma ime për një subjekt politik në Kosovë është një ndër arsyet përse jam në Uashington, që të konsultohem me drejtuesit e Departamentit të Shtetit lidhur me këtë nismë. Kam marrë vendim që të mbetem aktiv në skenën politike kosovare. Mendoj që gjatë këtyre vjetëve që kam qenë edhe në TMK, por sidomos gjatë viteve të fundit kur kam qenë në krye të qeverisë i kam parë problemet, i kam prekur ato, kam parë edhe mundësi si ato mund të zgjidhen. Mendoj që këtë vizion që e kam për të ardhmen e Kosovës mund ta shpreh më mirë nëse vetë e udhëheq një subjekt politik, dizenjoj politikat dhe ia prezantoj opinionit. Gjithsesi nuk e kam për synim që me këtë projekt politik të vij sa më shpejt në pushtet, por synoj që duke drejtuar një subjekt politik të profilizuar me profil social-demokratik, që mendoj që i duhet Kosovës, t’i sfidoj edhe partitë e tjera që të profilizohen politikisht, që të favorizohet më shumë programi dhe të relativizohet roli i liderit partiak dhe qytetarët ta njohin dhe të shikohet drejt programi politik dhe jo thjesht të shkojmë pas liderëve politikë.

Zëri i Amerikës: Ju folët për një platformë social-demokratike. Më konkretisht çfarë mungon në alternativat politike në Kosovë që shpresoni se do të përmbushni ju?

Agim Çeku: Në zgjedhjet e fundit votuesit kosovarë e kanë dhënë përgjigjen e tyre. Mbi 60 për qind e votuesve nuk kanë dalë në zgjedhje, pra partitë aktuale politike nuk kanë dhënë përgjigje konkrete për brengat e shumta me të cilat ballafaqohen qytetarët. Programi i social-demokracisë, i cili bazohet në shtyllat e integrimit të Kosovës, si dhe në solidaritetin dhe tolerancën mes qytetarëve dhe komuniteteve, unë mendoj se jep përgjigjen më të mirë që të mund të harmonizohen edhe barazia dhe drejtësia sociale dhe zhvillimi ekonomik. Është një koncept politik për një rol më të theksuar të shtetit në mbikqyrjen e ekonomisë, vendosjen e masave të kontrollit dhe mbikqyrjes së ekonomisë që të ketë një shpërndarje më të drejtë sociale. Dhe kategoritë sociale që sot i kemi në Kosovë dhe gjithnjë e më shumë thellohen këto ndasi, të mos jenë brengë e familjeve, apo e shoqatave joqeveritare, por të jenë brengë e shtetit. Shteti duhet të kujdeset për invalidët e luftës, për veteranët e luftës, për handikapadët. Për me qenë këto kategori brengë e shtetit, shteti duhet të ketë mjete. Mjetet sigurohen përmes instrumentave konkretë për të kontrolluar sidomos ndërmarrjet publike.

Zëri i Amerikës: Deri tani kemi dëgjuar që statusi ka qenë pengesa kryesore për të zgjidhur disa nga këto probleme sociale, por edhe më gjerë për të ndihmë ndaj biznesit të vogël apo tërheqjen e investimeve të mëdha. Si e gjykoni punën e qeverisë tani që edhe statusi është zgjidhur.

Agim Çeku: Statusi i Kosovës ka qenë çështja më madhore, e cila ka kërkuar që të gjitha energjitë të shkrihen në këtë drejtim. Por tani statusin e kemi dhe përpara kemi sfida të mëdha; në radhë të parë sfidat e sigurisë, stabilitetit dhe pavarësinë tonë ta bëjmë të qëndrueshme dhe të njohur nga sa më shumë shtete- kjo është sfida e parë. Dhe pastaj të ballafaqohemi me problemet kryesore: zhvillimi ekonomik, edukimi, shëndetësia, trajtimi i kategorive sociale. Unë mendoj se qeveria është duke punuar, duke bërë përpjekje, por kam përshtypjen se këto përpjekje nuk janë të mjaftueshme, ose ende nuk kanë dhanë rezultat konkret, edhe pse është herët të gjykohet një qeveri, unë mendoj se duke pasur parasysh premtimet që ka dhënë edhe gjatë fushatës, edhe me rastin e zgjedhjes së qeverisë, duke pasur parasysh edhe një përzgjedhje të mirë të ministrave, pres që kjo qeveri të ketë rezultate konkrete në zgjidhjen e problemeve, në radhë të parë problemi, që është i pakuptimtë në shekullin 21, mungesa e energjisë elektrike por edhe të tjera.

Zëri i Amerikës: Deshëm të dimë si i gjykoni ritmet e njohjes së Kosovës.

Agim Çeku: Ne duhet të jemi të kënaqur me dinamikën e njohjen së pavarësisë. Fuqitë kryesore të Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara e kanë njohur pavarësinë, Japonia, fuqitë më të mëdha ekonomike. Por ne kemi pritur që edhe më shumë vende, sidomos të Bashkimit Evropian, ta njihnin pavarësinë e Kosovës. Ne e dimë disa vende që i kanë disa arsye politike, që i kemi pritur të jenë pengesë, si Greqia, Spanja, Rumania por është e paqartë për mua përse Portugalia ende heziton, vendet islamike ende hezitojnë. Ne na duhet një masë kritike e shtetev, diku mes 50-100 shtete ta njohin sa më shpejt dhe kjo do ta bënte më të lehtë dhe më të shpejtë anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme qoftë politike apo financiare.

Zëri i Amerikës: Mitrovica mbetet një problem madhor për Kosovën. Megjithëse është qetësi, me protestat që shpërthyen para pak javësh e vumë re se sa e brishtë është kjo qetësi. Çfarë zgjidhjeje shikoni për këtë problem?

Agim Çeku: Mitrovica ka qenë dhe sot mbetet sfida më e madhe për Kosovën, për qytetarët e Kosovës, institucionet dhe bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë. Jemi dëshmitarë të veprimeve të ekstremistëve serbë të inicuara dhe frymëzuara nga Beogradi. Jemi gjithashtu dëshmitarë të një vendosmërie të KFOR-it, të forcave të sigurisë që të ruhet stabiliteti dhe integriteti territorial i Kosovës. Ne i përshëndesim këto përpjekje. Por edhe përse kemi një stabilitet aktual atje, dhe megjithëse një numër gjithnjë e më i vogël protestuesish sot dalin në rrugët e Mitrovicës, duhet të jemi vigjilentë. Kemi një sfidë të madhe para vetes – është sfida e zgjedhjeve të Serbisë që ata synojnë të zhvillojnë në zonat e banuara me serbë. Ne duhet të jemi vigjilentë dhe duhet të dëshmojmë se ka ndryshuar realiteti – Kosova është shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht dhe ashtu duhet të sillemi. Unë mendoj se një kërkesë që institucionet tona duhet t’ia paraqesin institucioneve ndërkombëtare është izolimi i serbëve të Kosovës nga ndikimi i Beogradit. Kufijtë tonë duhet të jenë shtetërorë, të kontrolluar nga forcat e sigurisë; kush po hyn në Kosovë, përse hyn në Kosovë? Duhet që kur t’i izolojmë politikisht nga ndikimi i Beogradit, ekstremistët serbë duhet t’i ndajmë nga shumica dërrmuese e qytetarëve serbë, të cilët tashmë e kanë ndarë mendjen, dëshirojnë të jetojnë në një Kosovë të qetë.

Zëri i Amerikës: Me pranimin e Shqipërisë në Nato, si mendoni se do të ndikojë ky zhvillim i ri mbi Kosovën?

Agim Çeku: Është një lajm shumë i mirë dhe dëshmon vetëm për ndryshimet kolosale që janë bërë në rajonin tonë. Dhe vërtetë, nëse shekulli i 20-të ka qenë një shekull i vuajtjeve të shqiptarëve, i përpjekjeve të shqiptarëve për liri, për prosperitet, jam i bindur që shekulli 21-të do të jetë shekulli i shqiptarëve. Jemi në fillim të këtij shekulli dhe Shqipëria hyri në Nato, Kosova u pavarësua; shqiptarët kudo në vise të tjera janë duke luajtur një rol të jashtëzakonshëm për stabilitet. Për shembull në Mal të Zi, pa shqiptarët, zor se do të ishte arritur pavarësia e Malit të Zi; në Maqedoni shqiptarët janë faktor shumë i rëndësishëm që ndikojnë në të gjitha zhvillimet politike apo ekonomike. Shqiptarët tani, sidomos në Ballkan janë faktori kyç për paqe dhe stabilitet. I uroj këtë fitore të madhe Shqipërisë, popullit shqiptar, qeverisë shqiptare që e kanë merituar një ftesë në Nato, që vazhdimisht po i përcjellin dhe po u përgjigjen kërkesave të kohës dhe po përpiqen që populli shqiptar të zerë vendin e vet në Nato, në Evropë dhe kudo ku i takon. //ad//

XS
SM
MD
LG