Lidhje

SHBA: Humbje vendesh pune, rritet shqetësimi për ekonominë


Departamenti amerikan i Punës njoftoi dje se 80 mijë vetë humbën punën në mars në Shtetet e Bashkuara, shifra më e lartë që prej pesë vjetësh. Të dhënat e punësimit janë provë e mëtejshme e një ngadalësimi të konsiderueshëm ekonomik.

Raporti ishte më negativ nga ç’pritej. Jo vetëm që pati humbje vendesh pune në mars, por papunësia u rrit nga 4.8 në 5.1 për qind. Bernie Baumohl është analist ekonomik në Princeton të Nju Xhersit.

“Sigurisht që kjo është alarmuese. Mendoj se do të sjellë si rezultat rënien e besimit të njerëzve për sigurinë e vendeve të punës në të ardhmen dhe të shpresave për të ardhurat”.

Në tre muajt e parë të këtij viti, Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar një humbje prej një çerek milioni vendesh pune. Shumë prej tyre ishin në sektorin e prodhimit që ka vuajtur prej kohësh, por jo në industrinë e shërbimeve, që ka qenë pjesa më e fortë e ekonomisë. Analisti ekonomik Baumohl thotë se të dhënat për punësimin nuk lënë dyshim se ekonomia po hyn në një periudhë rënieje.

“Besoj se kjo periudhë ka filluar. Mendoj se gjendja do të keqësohet edhe më shumë, sepse ka shumë mundësi që konsumatorët të shkurtojnë shpenzimet, si rezultat i dobësimit të tregut të punës”.

Shumë analistë besojnë rënia filloi në Janar dhe do të vazhdojë të paktën deri në mes të vitit. Banka Qendrore ka ndërmarrë hapa për stimulimin e ekonomisë me ulje të herpashershme të përqindjes së interesit, duke i ulur deri në tre për qind përqindjet afatshkurtra të interesit gjatë vitit të kaluar. Gjithashtu, një paketë fiskale stimujsh parashikon kthimin e qindra dollarëve të paguara në taksa për taskapaguesit duke filluar nga maji. Këto masa mund ta bëjnë situatën të favorshme duke i dhënë shtysë rritjes pas disa muajsh.

Ekonomitë në gjithë botën po përballen me problemin e dyfishtë të ngadalësimit të rritjes dhe shtimit të inflacionit. Çmimet e naftës janë katërfishuar në katër vitet e fundit dhe çmimet e artikujve ushqimorë janë rritur gjithashtu ndjeshëm. Njëkohësisht, tregjet e kredive nuk kanë funksionuar normalisht gjatë tetë muajve të fundit, që kur institucionet huadhënëse pësuan humbje të mëdha nga problemet në sektorin e kredidhënies në tregun e shitblerjes së banesave në Shtetet e Bashkuara.

Gjithsesi tregjet financiare, nuk u tronditën shumë nga të dhënat për humbjen e vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara. Bursa u mbyll dje me një rritje të lehtë të çmimeve të aksioneve në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.//kk//

XS
SM
MD
LG