Lidhje

Bush u bën thirrje Kroacisë dhe Shqipërisë të vazhdojnë reformat


Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, Presidenti Bush tha se Shqipëria dhe Kroacia kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm në rrugën drejtë lirisë, begatisë dhe paqes. Ftesa për t’u anëtarësuar në NATO, tha ai, tregon besimin e aleancës se këto vende do të vazhdojnë reformat e nevojshme dhe do të bëhen kontribues të fuqishëm të misionit të NATO-s për mbrojtje të përbashkët.

Presidenti Bush shprehu keqardhjen që NATO-ja nuk mundi t’i bëjë ftesë edhe Maqedonisë në takimin e Bukureshtit. Ashtu si Shqipëria dhe Kroacia, tha ai, edhe Maqedonia ka përmbushur të gjitha kriteret për tu anëtarësuar në NATO.

Presidenti Bush shprehu shpresën se çështja e emrit do të zgjidhet sa më shpejt.

Më pak se dy dekada më parë, thotë Presidenti Bush në fjalimin e tij në radio, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia ishin nën shtypjen komuniste. Popujt e këtyre vendeve e kuptojnë se çdo të thotë liri sepse ata e kanë përjetuar mungesën e saj; ata e dinë se çfarë vuajtjesh mund të shkaktohen nga përkrahësit e ideologjive radikale të cilët vrasin njerëz të pafajshëm vetëm për të përmbushur synimet e tyre politike. Dhe këto mësime i kanë vetëdijësuar ata që të punojnë përkrah Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit, tha Presidenti Bush.

Sot ushtarë nga Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia po shërbejnë me trimëri në Afganistan për ta ndihmuar popullin e këtij vendi që të mposhtë terrorizmin dhe të sigurojë një të ardhme të lirë, tha Presidenti Bush.

Trupa nga Shqipëria dhe Maqedonia shërbejnë edhe në Irak ku po e ndihmojnë popullin irakian të ndërtojë një shoqëri e cila i thotë jo terrorizmit. Këto vende, tha Presidenti Bush, kanë dëshmuar përkushtimin e tyre ndaj vlerave të lirisë duke sakrifikuar që tua mundësojnë atë edhe popujve të tjerë. //ii

XS
SM
MD
LG