Lidhje

Presidentët Bush, Putin përfundojnë takimin e nivelit të lartë në Rusi


Presidentët Bush dhe Putin përfunduan takimin e fundit mes tyre pa një marrëveshje mbi planin e sistemit të raketave por me një kornizë strategjike për pasuesit e tyre. Duke folur pak para se zoti Bush të largohej nga vendpushimi i Soçit, të dy udhëheqësit thanë se marrëveshja kornizë që nënshkruan parashtron arritjet e tyre dhe bashkëpunimin në të ardhmen.

Në takimin e tyre të fundit si presidentë, Bush dhe Putin lavdëruan njëri-tjetrin por pranuan se mbeten të ndarë për disa çështje madhore veçanërisht për sistemin e raketave dhe zgjerimin e Natos drejt lindjes.

Zoti Putin e quajti planin amerikan që parashikon vendosjen e radarëve në Republikën Çeke dhe të interceptorëve në Poloni, pikën më të nxehtë në mosmarrëveshjet Amerikë-Rusi dhe një nga më të vështirat për tu zgjidhur. "Dua të më kuptoni drejt – nuk ka ndryshuar asgjë në qëndrimin tonë për planet amerikane," tha presidenti Putin. Gjëja më e mirë është të punojmë së bashku për sistemin e mbrojtjes globale me një përqasje të barabartë dhe demokratike për kontrollin e tij, tha ai.

"Kjo nuk do të ndodhë menjëherë, por a nuk është një mundësi e shkëlqyer për të punuar së bashku? Patjetër që po," u tha presidenti Bush gazetarëve pas takimit .

Presidenti fajësoi mentalitetin e Luftës së Ftohtë tek disa në Rusi dhe në Shtetet e Bashkuara që e bëjnë të vështirë arritjen e një marrëveshjeje mbi sistemin e mbrojtjes."Kemi harxhuar shumë kohë në marrëdhënien tonë për t’u larguar nga mentaliteti i Luftës së Ftohtë. Ajo ka përfunduar, tha presidenti."

Të dy udhëheqësit thanë se kanë rënë dakord të bashkëpunojnë me njëri tjetrin për vazhdimin e bisedimeve rreth sistemit të mbrotjes nga raketat.

Në deklaratën e përbashkët thuhet: "Pala ruse e ka bërë të qartë se nuk është dakord me vendimin për të vendosur sistemin në Poloni dhe Republikën Çeke dhe përsëriti alternativën e propozuar më parë."

Megjithatë ajo vlerëson masat që Shtetet e Bashkuara kanë propozuar dhe deklaron se nëse bihet dakord dhe vihen në jetë këto masa do të jetë e rëndësishme dhe e dobishme për të zbutur shqetësimet ruse.

Sidoqoftë, të dyja palët ranë dakord të arrijnë një marrëveshje ligjore pas skadimit të traktatit për kufizimin e armëve strategjike në nëntor të vitit 2009.

Lidhur me Naton, Rusia mbetet kundërshtuese e zgjerimit të aleancës drejt Lindjes që presidenti Bush e ka mbështetur megjithë kundërshtimet e hapura të zotit Putin.

Takimi i Soçit u zhvillua disa ditë pasi udhëheqësit e Natos ranë dakord në Rumani të ftojnë Shqipërinë dhe Kroacinë në aleancë.

Presidenti Bush u takua gjithashtu me pasuesin e zotit Putin, Dmitry Medvedev të cilin një njeri të hapur. Zoti Bush u tha gazetarëve pas takimit se ishte i impresionuar nga zoti Medvedev.//rd

XS
SM
MD
LG